Pas pandemisë, rikthehet debati për vaksinat/ Mjeku Jakaj: Qytetarët duhen informuar, jo frikësuar

09:52, 26/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mjeku Besnik Jakaj, nga studioja e “Kafe Shqeto”, ditën e sotme ka komentuar mbi marrëdhënien mes shkencës dhe qytetarëve, një raport që sipas tij ka qenë gjithmonë i ndërtuar mbi skepticizëm, por që mbetet i domosdoshëm për të garantuar besimin dhe transparencën në çështjet që lidhen me shëndetin publik.

Në diskutimin e tij, mjeku Jakaj është ndalur veçanërisht tek proceset shkencore dhe etike që lidhen me prodhimin e vaksinave, duke kujtuar debatet dhe dilemat që shoqëruan periudhën e pandemisë së COVID-19, ku një pjesë e madhe e opinionit publik shfaqi skepticizëm ndaj shpejtësisë me të cilën u zhvilluan dhe u miratuan vaksinat kundër virusit.

Sipas doktor Jakajt, është e natyrshme që qytetarët të kenë pyetje dhe rezerva në raport me zhvillimet e reja mjekësore, por sqarimi shkencor dhe komunikimi i saktë publik janë thelbësorë për të shmangur keqinformimin dhe për të forcuar kulturën e kujdesit ndaj shëndetit.

Ai theksoi se vetë procesi i prodhimit të vaksinave kërkon një kohë të gjatë testimi, monitorimi dhe verifikimi, duke sqaruar se zakonisht një vaksinë e re nuk mund të dalë në treg para 18 apo 20 muajve, pasi duhen respektuar protokollet ndërkombëtare për sigurinë dhe efektivitetin klinik.

Besnik Jakaj:

"Marrëdhënia shkencë–qytetar ka qenë në skepticizëm të përhershëm dhe është logjike dhe normale.

Tani, po t’i rikthehemi kronikës suaj dhe historisë së vaksinimit për COVID-19, ka pasur një skepticizëm botëror.

Unë sigurisht jam pro vaksinimit dhe do e diskutojmë për efektet dhe vlerat që ka në imunizimin e disa grupmoshave dhe për disa lloje vaksinash të konfirmuara botërisht për efektet e tyre imunizuese e pozitive.

Rasti i COVID-19, unë e kam shtruar dhe duke pasur edhe një eksperiencë të gjatë në institutin publik, protokolli i procesit të prodhimit të vaksinave, është e pamundur një vaksinë që të dalë para 18 muajve në treg.

Sado intensive të jetë testimi laboratorik, është e pamundur të jesh i sigurt ta nxjerrësh në treg para 18, 20 apo 22 muajve. Ato shkojnë deri në 10 vjet, pra, protokollet e sakta për t’u bërë testimet klinike e për t’u hedhur në treg për përdorim masiv.

Në rastin konkret, për vaksinën e stinës, që të mos i keqinformojmë qytetarët, vaksina e stinës është e domosdoshme për t’u bërë dhe ka një epidemi në Australi dhe nuk është grip i ri, është i njohur dhe vaksina ndryshohet çdo vit dhe është e këshillueshme sidomos për personat nën 18 vjeç dhe mbi 65 vjeç.

Ajo jep imunitet sepse është e vërtetuar, pra është vaksinë e re prej vitesh dhe te disa të sëmurë kronikë rrit edhe imunitetin.

Duhet të kemi parasysh se jo vetëm tani që jemi në periudhë virozash, por edhe gjatë stinës së verës dhe në pranverë ka pasur viroza të shtuara.

Gripi është përsëritur disa herë dhe është shumë i përhapur, e në këto kushte duhet të jemi të kujdesshëm e të monitoruar që sistemi shëndetësor të mos kalojë në kolaps e paniku i shoqërisë, siç e pamë me COVID-19, se cili është problemi i këtyre simptomave të para si dhe përqendrimi i vëmendjes nga strukturat e shëndetësisë".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco