SYRI TV/ Kukës, 10 fëmijë të fshatit Kolosh privohen nga shkolla, banorët: Do marrim fëmijët, do ikim jashtë

12:20, 17/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në fshatin Kolosh të njësisë Zapod në Kukës, vetëm 10 fëmijë kanë mbetur, por as këta nuk mund të ndjekin shkollën këtë vit, teksa edhe pse kanë kaluar gati dy javë nga fillimi i vitit të ri shkollor nxënësit ende nuk janë ulur në bankat e shkollës.

Shkolla më e afërt ndodhet rreth dy orë larg në këmbë, nëpër një rrugë të amortizuar, pa asfalt dhe të rrezikshme.

Mungesa e sigurisë, rruga e paaksesueshme dhe pamundësia për t’i shoqëruar fëmijët çdo ditë ka bërë që komuniteti të ngrihet në protestë. Prindërit kërkojnë me urgjencë transport të sigurt dhe të rregullt për fëmijët.

Zyra Vendore Arsimore Kukës, pas dështimit të tenderit për këtë vit, u ka propozuar prindërve një pagesë prej vetëm 120 lekësh në muaj për çdo fëmijë, por sipas tyre, asnjë operator privat nuk pranon të marrë përsipër një rrugë kaq të vështirë me këtë shumë.

Prindërit i drejtohen me thirrje Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar në Lezhë dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë.

Situata në Kolosh nuk është e vetmja, probleme të ngjashme raportohen në shumë fshatra të tjerë të Kukësit, ku mungesa e infrastrukturës dhe e transportit po kthehen në pengesën kryesore për të drejtën e arsimimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco