'Katastrofë arsimore në Gjirokastër' / Një nxënës i vetëm ndjek mësimin në ambulancë, shkolla e fshatit e rrënuar prej vitesh

10:42, 08/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjendja alarmante e arsimit në fshatin Hundkuq të Gjirokastrës ka sjellë një situatë të paprecedentë: mësimi zhvillohet në ambientet e ambulancës së fshatit.

Shkolla e fshatit, e cila prej vitesh ka degraduar dhe nuk është funksionale, është lënë në harresë totale.

Godina e saj është e rrënuar dhe jashtë çdo standardi, duke u kthyer në një rrezik serioz për jetën e fëmijëve dhe mësuesve.

Pamjet tregojnë mure të rrënuara, dritare të thyera dhe ambiente të pabanueshme, që nuk plotësojnë as kushtet më minimale për zhvillimin e mësimit.

Aktualisht, në fshat ka vetëm një nxënës të klasës së pestë, i cili ndjek mësimet me një mësues në një nga dhomat e ambulancës. Dhoma tjetër shërben për pritjen e pacientëve.

Hundkuqi është një fshat i vogël me rreth 20 familje, shumica e të cilave janë të moshuar. Të rinjtë dhe fëmijët janë larguar drejt emigracionit në kërkim të një jete më të mirë, duke e bërë situatën edhe më dramatike.

Komuniteti apelon për ndërhyrje urgjente nga institucionet për të rikonstruktuar shkollën dhe për të kthyer normalitetin e procesit mësimor, në mënyrë që fëmijët të mos mësojnë më në kushte të tilla të papranueshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco