Nis sot viti i ri shkollor 2025-2026.
Këtë vit në rrethin e Beratit, kanë hapur dyert për vitin e ri arsimor 58 shkolla (9-vjeçare dhe të mesme,publike dhe private).
Nga shifrat e këtij viti,të krahasuara me një vit më parë,vihet re një rënie e ndjeshme e numrit të nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme,ndërkohë që në rënie ka qënë edhe numri i nxënësve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Sipas shifrave zyrtare ,në bankat e shkollave këtë vit do të ulen 4980 nxënës në shkollat publike dhe 860 nxënës në shkollat private.E krahasuar kjo me një vit më parë, kur numri i nxënësve ishte 5500 nxënës në shkollat publike dhe 970 nxënës në shkollat private,duket qartazi se kemi një rënie të numrit të nxënësve.
Në rënie ka qenë këtë vit edhe numri i nxënësve që ulen për herë të parë në bankat e shkallave,numër ky që në këtë vit arsimor 2025-2026 është 376 vogëlushë,ndërkohë që vitin e kaluar ky numër ka qenë 540.
Edhe pse kemi pasur këtë vit një rënie të numrit të nxënësve,nga Zyra Arsimore Rajonale Berat nuk raportohet asnjë shkollë e mbyllur.
Edhe këtë vit,do të vijojë në Berat mësimi me dy turne,për nxënësit e shkollës 9-vjeçare “22 Tetori”,të cilët për shkak të rindërtimit të shkollën nga themeli,do ta zhvillojnë mësimin në ambjentet e shkollës së mesme të rindërtuar vjet "Babë Dudë Karbunara".
Edhe nxënësit e Shkollës së mesme të Bashkuar Lapardha,këtë vit do të shpërndahen për ta zhvilluar mësimin në shkollat e fshatrave Lumas e Otllak,për shkak të fillimit të punimeve për rikonstruksionin e plotë të kësaj shkolle.
Problematike këtë vit vijon të jetë edhe mungesa e shkollës 9-vjeçare në fshatin Donofrosë,ku për të tretin vit radhazi, nxënësit e kësaj zone do ta zhvillojnë mësimin në një lokal të fshatit,të përshtatur në 5 klasa, ndërkohë që shumë nxënës të fshatit Donofrosë dhe fshatrave përreth,të pakënaqur nga kjo gjendje,e zhvillojnë mësimin në një shkollë private në Rroskovec.
© SYRI.net