'Pa strehë, pa ushqim, me dy fëmijë të sëmurë’/ Qytetarja-Ramës: Na ke lënë në mëshirën e fatit, do vdesim urie

10:13, 04/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një histori prekëse vjen nga Tirana, ku një nënë ka mbetur në mes të rrugës, pa strehë, pa ushqim dhe me dy fëmijë të sëmurë për të rritur.

Bashkëshorti i saj, Tefik Seferi humbi jetën pas një infarkti, ndërsa sot, familja e shkatërruar po përballet me varfëri ekstreme dhe mungesë totale të mbështetjes nga shteti.

Gruaja tregon se edhe pas humbjes së burrit, askush nga qeveria e Edi Ramës nuk i ka ofruar asnjë ndihmë.

Ajo nuk merr pension, nuk përfiton ndihmë ekonomike, nuk ka asnjë të ardhur dhe jeton vetëm falë mëshirës së qytetarëve.

Në një apel të dëshpëruar, në një lidhje direkte për 'Kafe Shqeto', ajo i kërkon kryeministrit Ramës të vendosë “dorën në zemër” për dy fëmijët e saj të sëmurë, të cilët sot kanë mbetur edhe pa rroba.

*“I ra infarkt menjëherë. I futa një pikë uji, u djersit dhe mora ambulancën. E çuam në spital. Atje po lëvizte, por më pas doktori na tha se i pushoi zemra. Ditën tjetër vdiq. E pritëm shumë keq lajmin.

Në fillim nuk i thashë çunave, por më pas ju tregova. Pishmani më i madh që kishte ishte për mua. Më tha: ‘Mendoj për ty, çfarë do bësh ti për ilaçet’.

Edi Rama nuk na la as shtëpinë! Çfarë do bëjmë ne? Mori pensionin dhe më tha: ‘Nuk do t’i harxhoj, do i mbaj për ty lekët’.

Nuk di çfarë të bëj. As pension nuk marr. Dhe nëse del 150 mijë lekë të vjetra, çfarë të bëj me to? S’kam kujt t’i kërkoj ndihmë.

Hëngra bukë një herë prej popullit. I bëj thirrje Edi Ramës: më ndihmo për kalamajt. Kam dy fëmijë të sëmurë. Ta vërë zemrën në dorë si për fëmijët e tij. Më kanë ngelur edhe pa rroba.”

Edhe një banor i zonës, që ka ofruar strehim për familjen, dëshmon se ata kanë mbijetuar vetëm falë qytetarëve, pasi shteti nuk ka lëvizur asnjë gisht:

“Unë ua kam dhënë shtëpinë pa qira. Prej 3 vitesh po rrinë në shtëpinë time dhe paguaj unë dritat e ujin.

Sot jam 45 vjeç, por kurrë në jetën time nuk kam parë asnjëherë familje me më shumë hall se kjo. Nuk marrin as ndihmë ekonomike, asgjë, dhe unë i lutem shtetit ta vërë dorën në zemër se janë në hall të madh.

Vetëm populli i ka ndihmuar. Nuk marrin as pension, as kemp. Nuk kanë as ushqim për të ngrënë. T’u gjejnë një shtëpi të paktën dhe të kenë për të ngrënë, se një ditë do vdesim të gjithë, nuk do jetojmë një mijë vjet.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco