Nis faza e parë e aplikimeve në universitete, të rinjtë mes studimeve në Shqipëri dhe emigrimit

08:28, 29/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prej ditës së sotme ka nisur zyrtarisht Faza e Parë e aplikimeve për në universitet për vitin akademik 2025-2026. Të rinjtë shqiptarë kanë mundësinë të kryejnë pagesat për tarifat përkatëse pranë zyrave postare apo bankave të nivelit të dytë, përpara se të vijojnë me procedurat në portalin zyrtar “U-Albania”.

Pasi kryhet pagesa, kandidatët mund të hyjnë në portal për të aplikuar dhe për të zgjedhur deri në 10 programe të ndryshme studimi, sipas preferencave të tyre. Kalendari i plotë dhe të gjitha hapat për aplikim janë të publikuara në mënyrë të detajuar në faqen “U-Albania”.

Megjithatë, ky fillim i vitit të ri akademik vjen në një moment reflektimi të thellë për të ardhmen e arsimit në vend. Statistikat flasin për një rënie të ndjeshme të numrit të aplikantëve vit pas viti, pasi gjithnjë e më shumë të rinj po zgjedhin të braktisin vendin për të ndjekur studimet jashtë kufijve të Shqipërisë.

Fenomeni i largimit po kthehet në një plagë të thellë sociale, që ngre pikëpyetje serioze mbi cilësinë, perspektivën dhe besimin që të rinjtë kanë ndaj sistemit arsimor dhe tregut të punës në Shqipëri.

Përballë këtij realiteti, universitetet shqiptare përballen jo vetëm me sfidën e konkurrencës mes tyre, por edhe me nevojën për të rikthyer besimin e të rinjve, përpara se klasa akademike e së ardhmes të zhduket nga auditorët e vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco