Vera është një stinë që sjell gëzim, dritë dhe në të njëjtën kohë shumë nxehtësi. Për nënat që ushqejnë me gji, këto ditë të ngrohta kërkojnë pak më shumë kujdes dhe vëmendje, si për mirëqenien e tyre, ashtu edhe për rehatinë dhe hidratimin e foshnjës.
Më poshtë gjeni disa këshilla bazë, por shumë të vlefshme për një gjidhënie të sigurt dhe të rehatshme gjatë muajve të verës:
1.Hidratimi i mjaftueshëm i nënës
Temperaturat e larta nënkuptojnë edhe nevoja më të mëdha për lëngje. Kujdesuni të konsumoni të paktën 2–3 litra lëngje në ditë. Uji, lëngjet natyrale dhe ushqimet me përmbajtje të lartë uji, si frutat dhe perimet, janë zgjedhje të shkëlqyera.
2.Gjidhënie ekskluzive, pa ujë shtesë
Foshnjat që ushqehen vetëm me gji nuk kanë nevojë për ujë shtesë, edhe kur temperaturat janë shumë të larta. Qumështi i gjirit siguron të gjitha lëngjet dhe ushqyesit që ka nevojë foshnja juaj.
3.Gjidhënie e shpeshtë dhe sipas kërkesës
Gjatë verës, është normale që foshnjat të kërkojnë gji më shpesh, por për periudha më të shkurtra. Kjo ndihmon në hidratimin më të mirë të tyre dhe në rregullimin e temperaturës trupore.
4.Veshje e përshtatshme për nënën dhe foshnjën
Zgjidhni veshje të lehta, të rehatshme dhe pambuku që e lejojnë lëkurën të marrë frymë. E njëjta gjë vlen edhe për foshnjën, për të shmangur mbinxehjen.
5.Mbrojtje nga nxehtësia
Kur ushqeni me gji jashtë, zgjidhni vende të freskëta dhe me hije. Në ambiente të brendshme, mund të përdorni ventilator apo kondicioner, duke u siguruar që foshnja të mos jetë e ekspozuar direkt ndaj rrymës së ajrit.
6.Kujdes për lëkurën dhe ‘thithkat’
Për shkak të djersitjes së shtuar, është e rëndësishme të mbani të pastra thithkat, duke i larë vetëm me ujë. Lërini të thahen mirë për të shmangur irritimet ose infeksionet mykotike.
7.Lidhje emocionale dhe mbështetje
Gjidhënia në verë nuk është vetëm çështje ushqimi dhe hidratimi ajo është edhe një mundësi për të forcuar lidhjen emocionale me foshnjën tuaj. Sidomos në periudha e ndryshimeve, si pushimet apo lëvizjet, siguria dhe ngrohtësia e përqafimit të nënës janë të pazëvendësueshme. Syri.net-iefimerida
© SYRI.net