'Thethi në alarm'/ Banori: Po na shembin shtëpitë me eksploziv, kjo është plagë për gjithë zonën

11:26, 15/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nik Guri, banor i zonës së Thethit, në intervistën e mesditës për 'Syri TV', ka komentuar situatën që po zhvillohet në këtë zonë alpine, pas ndërhyrjes së forcave të shumta të policisë për prishjen e disa ndërtimeve.

Sipas deklaratës së tij, gjendja në Theth është “shokuese” dhe për banorët po përjetohet si një traumë kolektive.

Ai theksoi se mbrëmjen e kaluar kishin menduar se tensionet ishin ulur dhe situata ishte stabilizuar, por mëngjesin e sotëm janë përballur me një skenar krejt tjetër.

Rreth 150 forca policie, kanë zbarkuar në zonë dhe po kryejnë prishje të objekteve me eksploziv, në një aksion të cilin banorët e konsiderojnë të dhunshëm dhe të pajustifikuar.

Banori, i cili ka qenë vetë i prekur nga fatkeqësi të mëparshme në pronën e tij, tregoi se i ka ndërtuar objektet që në vitin 2009, dhe se në vitin 2021 bujtina e tij është djegur nga një aksident fatkeq, por e ka restauruar nga e para me shumë mund dhe sakrificë.

Megjithëse këtë herë nuk është prekur nga aksioni i policisë, ai tha se “ndjehet i plagosur njësoj si ata banorë të tjerë të cilëve u janë shkatërruar shtëpitë”.

Ai i bëri thirrje institucioneve që të ndalojnë menjëherë këtë lloj qasjeje të dhunshme ndaj banorëve që për dekada kanë jetuar, punuar dhe mbajtur gjallë turizmin dhe jetën në këtë zonë të thellë malore.

Pjesë nga fjala e tij:

"Unë ju përshëndes për gatishmërinë që keni treguar për situatën këtu në Theth, ku gjendja është shokuese.

Menduam mbrëmë se u qetësuam, por sot erdhën 150 forca policie dhe po bëjnë një bombardim me eksploziv.

Me aq sa ma merr mendja, nuk është e drejtë t’i bëhet kjo popullit të Thethit, popull autokton, rraca më e pastër në Shqipëri, me të gjitha vlerat që ne si popull kemi. Dukagjini e ka mbajtur Veriun e Shqipërisë, duke dhënë kulturë, respekt dhe bukë për të gjithë njerëzit që kanë kaluar këtej.

Mua, ka dashtë Zoti, nuk më ka kapur kjo valë, sepse i kam ndërtuar që në vitin 2009. Në vitin 2021 kam pasur fatin e keq që më është djegur bujtina, por e kam restauruar përsëri. Edhe unë jam i plagosur si këta që u kanë hequr shtëpitë.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco