Temperaturat e larta, mjeku Allkja: Betonizimi dhe mungesa e gjelbërimit përkeqësojnë efektin e vapës, shmangni oraret e pikut

10:23, 08/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri TV, mjeku Ilir Allkja ka dhënë disa këshilla të rëndësishme për qytetarët lidhur me temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin.

Ai theksoi se shqiptarët kanë një prirje për të sfiduar natyrën, duke dalë jashtë edhe në orët më të nxehta të ditës. “Kam parë që edhe në orët 11, 12, 1, 2 të drekës, në qytet ka shumë lëvizje, qoftë këmbësore, qoftë me urbanë që janë plot, por edhe me makina”, tha mjeku.

Allkja apeloi për një sjellje më të kujdesshme në përballje me temperaturat ekstreme, duke sugjeruar shmangien e daljeve gjatë orëve të nxehta dhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme në mëngjes herët ose pasdite vonë. “Ne nuk modifikojmë dot kushtet e motit sepse nuk kemi mundësi as të ndalojmë betonizimin, as të shtojmë më shumë pemët”, u shpreh ai.

Sipas tij, “imperativa e këtyre ditëve të verës është që të shpëtojmë nga kushtet ekstreme të temperaturave, duke shmangur qëndrimin jashtë gjatë orëve të nxehta dhe duke lëvizur për punë sa më herët në mëngjes.”

Në mënyrë të veçantë, Allkja i bëri thirrje pensionistëve që të organizojnë aktivitetet e tyre ditore në orare të përshtatshme për të shmangur vapën, duke qëndruar në ambiente të freskëta dhe duke u hidratuar rregullisht me ujë dhe lëngje. Ai theksoi se kushtet ekstreme janë të rrezikshme jo vetëm për të porsalindurit dhe fëmijët, por edhe për të rriturit.

Pensionistët dhe moshat e treta, sidomos ata me sëmundje kronike si probleme me zemrën, përballen me rrezik të lartë, pasi në këto temperatura zemra kalon një sforcim 2-3 fish më të madh,” paralajmëroi mjeku.

Në fund, ai theksoi rëndësinë e shmangies së vapës deri në shtator dhe të konsumit të lëngjeve natyrale, ndërsa nënvizoi se përdorimi i alkoolit është i pakëshillueshëm në këto kushte të motit.

Allkja: 

Ne kemi një tip që gjithmonë t’i sfidojmë kushtet e natyrës, unë kam parë që edhe në orët 11, 12, 1, 2 të drekës, në qytet ka shumë lëvizje, qoftë këmbësore, qoftë urbanët janë plot, qoftë edhe me makina.

Është mirë që ne të kemi një sjellje të butë ndaj temperaturave ekstreme, pra të përpiqemi t’i shmangim.

Ne nuk modifikojmë dot kushtet e motit sepse nuk kemi mundësi as të ndalojmë betonizimin dhe as të shtojmë më shumë pemët.

Imperativa e këtyre ditëve të verës është që ne të shpëtojmë, të përpiqemi t’i shpëtojmë sa më shumë kushteve ekstreme të temperaturave dhe kjo arrihet duke shmangur ato oraret e nxehta, duke u përpjekur që të lëvizim për punë herët në mëngjes, ose të kryejmë ato detyra herë në mëngjes.

Këtë e them për pensionistët, që t’i kryejnë detyrat herët në mëngjes, ose vonë pasdite, në mënyrë që pjesën e vapës ta kalojnë në shtëpi, në ambiente të freskëta, duke u hidratuar, duke marrë ujë dhe lëngje.

Këto kushte ekstreme temperaturash dëmtojnë shumë, qoftë të porsalindurit, fëmijët, por qoftë edhe ne të mëdhenjtë.

Por pensionistët, moshat e treta, sidomos ato që vuajnë nga sëmundjet kronike, p.sh. një person që ka probleme me zemrën, në këto kushte zemra e tij kalon një sforcim 2-3 fish më të madh.

E rëndësishme është që deri në shtator t’i shmangemi sa më shumë vapës dhe të përdorim sa më shumë lëngje, lëngje që mund t’i bëjmë vetë, etj.

Gjithashtu, alkooli është i pakëshilluar në këtë vapë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco