Udhëtimet me makinë sot shpesh përfshijnë trafik, punime në rrugë ose pengesa të papritura. Por gjërat mund të jenë shumë më keq.
Imagjinoni të kaloni një rrugë të ngushtë malore me një makinë që vjen përballë, ku një lëvizje e gabuar mund të përfundojë në katastrofë. Ky është realiteti për shumë njerëz në pjesë të ndryshme të botës, ku për të shkuar nga pika A në pikën B, duhet të rrezikojnë jetën.
Ndaj, lidheni rripin dhe përgatituni për një udhëtim të frikshëm nëpër disa nga rrugët më të rrezikshme të globit.
1. Rruga Keylong-Kishtwar, Indi
Një rrugë me gjatësi 235 km, me një korsi të vetme nëpër male të rrezikshme. Pa barriera sigurie dhe me rrezik rrëshqitjeje dhe mot të paparashikueshëm, kjo rrugë është ndër më të rrezikshmet në Indi. Segmenti i quajtur “Cliff Hanger” është aq i ngushtë dhe i paqëndrueshëm sa mund të shembet nën rrota.
2. Ibarska Magistrala, Serbi
E njohur si “Autostrada e Zezë”, kjo rrugë shtetërore është ndër më të rrezikshmet në Europë dhe ndër më të ngarkuarat në Serbi. Aksidentet janë të shumta për shkak të kthesave të rrezikshme dhe shoferëve që udhëtojnë me shpejtësi ose nën ndikimin e alkoolit, veçanërisht natën.
3. Transfăgărășan, Rumani
Rruga më e famshme malore e Rumanisë ngjitet mbi 2000 metra dhe përfshin kthesa të forta, tunele dhe ndryshime të shpejta në lartësi. Përveç rreziqeve të terrenit, mund të përballeni me tufa të mëdha delesh që bllokojnë rrugën.
4. Skippers Canyon Road, Zelandë e Re
Kjo rrugë përmes kanionit ndjek lumin Shotover dhe u ndërtua nga minatorë në vitin 1862. Është e rrëshqitshme kur bie shi, e paqëndrueshme kur është thatë dhe mjaft e ngushtë. Sigurimi i makinave me qira nuk mbulon udhëtimet në këtë rrugë për shkak të rrezikut të lartë.

5. Autostrada James Dalton, SHBA
E bërë e famshme nga seriali Ice Road Truckers, kjo rrugë 666 km e gjatë lidh Fairbanks me Deadhorse në rrethin Arktik. Vetëm një e treta është e asfaltuar; pjesa tjetër është zhavorr. Rreziqet përfshijnë dëborë, akull dhe arinj polarë. Izolimi e bën edhe më të rrezikshme.
6. Shtegu Zojila, Indi
Ky kalim malor lidh Ladakh-un me Luginën e Kashmirit. Ndodhet në Himalaje dhe shpesh mbulohet nga dëbora dhe akulli. Rruga është e ngushtë, pa barriera dhe me rënie të thepisura në anë. Aktualisht po ndërtohet një tunel për ta bërë më të sigurt gjatë dimrit.
7. Rruga "Fairy Meadows", Pakistan
Një rrugë e tmerrshme që ngjitet mbi 3000 metra lartësi, e ngushtë dhe pa barriera mbrojtëse. Rruga është vetëm 16 km e gjatë dhe lidh autostradën Karakoram me fshatin Tato. Për shkak të rrezikshmërisë, vetëm banorëve vendas u lejohet ta përdorin.
8. Yungas, Bolivia
Rruga Yungas e Veriut është një nga rrugët më të famshme dhe më të rrezikshme në botë, me arsye të forta. Ky segment prej 64 kilometrash lidh qytetin La Paz me rajonin Yungas të Bolivisë dhe dikur vlerësohej të merrte mesatarisht 200 deri në 300 jetë çdo vit, derisa u hap një autostradë e re pranë saj që ofron një alternativë shumë më të sigurt.
Kjo rrugë e frikshme është thjesht një pistë me zhavorr që ngjitet përmes maleve. Sfidat kryesore janë mjegulla dhe shiu që kufizojnë shumë dukshmërinë gjatë manovrimit në kthesat e ngushta dhe të rrezikshme. Situata përkeqësohet edhe më tepër nga trafiku në të dy drejtimet, duke detyruar mjetet të kalojnë njëri-tjetrin buzë rrëpirave tepër të thella.
9. Autostrada Sichuan-Tibet, Kinë
Autostrada Sichuan-Tibet është një nga rrugët më të larta në botë, dhe kjo sjell një sërë sfidash specifike. Që nga shmangia e ortekëve dhe rrëshqitjeve të dheut, deri te ngarja në segmente me një korsi në lartësi të mëdha dhe me kapje të dobët të gomave në sipërfaqe, kjo rrugë është një provë serioze për çdo shofer.
Përkundër kushteve, rruga është e mbingarkuar me trafik. Bllokimet dhe vonesat janë të zakonshme dhe udhëtimi përgjatë gjithë autostradës mund të zgjasë deri në 15 ditë. Në kushte të tilla, nervat mes shoferëve mund të tensionohen ndjeshëm.
Por për ata që kanë guximin të përshkojnë këtë rrugë, shpërblimi është një panoramë mahnitëse me male të mbuluara nga bora dhe lugina dramatike të thella.
10. Bayburt D915, Turqi
Rruga dredha-dredha D915 është shpesh në listat e rrugëve më të frikshme në botë, për shkak të kthesave të saj të shumta e të mprehta që përshkojnë anët e maleve. Ajo lidh Detin e Zi në bregun verior me qytetin Bayburt, dikur pjesë e rrugës së lashtë tregtare të Mëndafshit mes Kinës dhe Europës.
Kjo rrugë ka rëndësi të madhe për trafikun lokal, por është tepër sfiduese për drejtuesit. Sipërfaqja e saj është me zhavorr, moti shpesh i ashpër dhe rreziqet janë të shumta, ndaj kërkon përqendrim maksimal, kujdes dhe durim për ta kaluar pa pasoja. / Science Focus
© SYRI.net