Tirana pritet të përjetojë ditë të njëpasnjëshme me temperatura ekstreme gjatë korrikut. Meteorologia Lajda Porja ka paralajmëruar se vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin që nga qershori do të vazhdojë edhe në muajin korrik, duke sjellë ditë të gjata me temperatura të larta dhe mungesë reshjesh.
Sipas Porjës, për shkak të lagështisë së lartë në ajër, temperaturat do të ndihen 4 deri në 5 gradë më të larta sesa vlerat që do të regjistrohen në termometër. “Në Tiranë do të ndihen si 45-46 gradë Celsius”, tha ajo në euronews.
Ajo shtoi se nga e mërkura deri të shtunën pritet një normalizim i përkohshëm i temperaturave, me reshje të lehta në veri dhe qendër të vendit. Por nga e diela e ardhshme, vendi do të përfshihet sërish nga një valë e gjatë të nxehti, duke shënuar një korrik të thatë dhe përvëlues.
“Edhe pse nuk kemi temperatura ekstreme si 45 gradë reale, pritet të kemi shumë ditë me mbi 39 gradë që do të zgjasin dhe do ndikojnë ndjeshëm në përditshmërinë e qytetarëve,” theksoi Porja.
© SYRI.net