SYRI TV/ Gërmadhat në 'Durrësin e ri' si në Iran pas bombave, ndërpriten punimet në rrugën 'Azem Hajdari'

22:46, 20/06/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rruga ‘Azem Hajdari’, u premtua nga Edi Rama se do ishte Bulevardi i Durrësit të ri, por deri tani është kthyer në makthin e banorëve të zonës dhe veçanërisht të drejtuesve të mjeteve.

Gërmadhat e banesave të shembura në njërin krah të rrugës, nuk janë pastruar, teksa pamjet e Syri Tv të japin idenë se janë marrë në Iran pas bombardimeve, dhe jo vetëm 3 kilometra nga godina e Bashkisë Durrës.

Ndërprerja e punimeve nga kompania private, ka bërë që vetëm njëri krah i rrugës të jetë i aksesueshëm, dhe kjo ka bërë që  shumë drejtues mjetesh të ecin për kilometra të tëra kundravajtje, ku nuk kanë munguar aksidentet me pasoja të renda.

Ndërkohë në këtë segment që lidh zonën e stadiumit Niko Dovana, me lagjen e re të ndërtuar për banorët e prekur nga tërmeti mungon edhe ndriçimi, ç’ka ka bërë që natën të kthehet rruga në një vendburim aksidentesh rrugore.

Ujërat e zeza nuk janë sistemuar, teksa kanali i hapur i ujërave të zeza është mbushur me mbeturina duke u kthyer në një bombë ekologjike, për mijëra banorë të Durrësit, një qytet që këtë periudhë të vitit është plot me turistë.

Për shkak të mos vendosjes së betonit anash kanalit, asfalti dhe korsia e biçikletave kanë filluar të bien, dukë ekspozuar kështu abuzimet me cilësinë e punimeve në këtë segment rrugor.

Asnjë shpjegim nuk ka nga ana e Bashkisë Durrës për ndërprerjen e punimeve, teksa banorët i zonës i janë drejtuar SPAK-ut, ku kërkojnë nisjen e hetimeve për shkak të abuzimeve që janë bërë më këtë segment rrugor.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco