Akademiku Kosta Barjaba, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, ka komentuar mbi rëndësinë e lëvizjes sindikaliste dhe rolin e saj në forcimin e demokracisë.
Ai theksoi se sindikatat nuk janë kërcënim për demokracinë, por një ushqyes i saj thelbësor, dhe se presioni i tyre duhet të rritet për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve në kushtet e zhvillimit të shoqërisë moderne.
Barjaba nënvizoi se grevat dhe mbrojtja e rendit nga policia janë pjesë integrale e demokracisë, dhe se në një shoqëri demokratike duhet të ketë balancë midis mbrojtjes së të drejtave sindikale dhe ruajtjes së rendit publik.
Ai gjithashtu theksoi se sektoret jetikë po ndryshojnë dhe se sulmet kibernetike përbëjnë kërcënim të ri për qytetarët, që duhet të adresohet me seriozitet.
Deklarata e tij:
"Unë dua të them që sa më e fortë të jetë lëvizja sindikaliste, aq më e fortë është demokracia.
Sindikatat nuk janë rrezik për demokracinë por janë një ushqyes i saj. Problemi që kemi pasur është se forca e sindikatave nuk arrin aty ku duhet të arrijë. E kemi një lëvizje sindikaliste të diversifikuar dhe presioni i lëvizjes sindikaliste duhet të jetë më i madh.
Edhe grevat janë element i demokracisë edhe mbrojtja prej rendit të policisë janë element të saj.
Në një shoqëri demokratike i ka të gjitha, edhe lëvizjen sindikaliste edhe presionin, edhe të ruajtur rendin, dhe duhet të kuptojmë se në kushtet e zhvillimit të sotëm, sindikalistët janë në kushte që të garantojnë të drejtat e tyre e t’i mbrojnë ato, ndërsa qeveria duhet të garantojë zhvillimin.
Lëvizja sindikaliste mbase nuk do t’ia dijë fare se çfarë objektikash ka qeveria, ata janë për të drejtat e punëtorëve dhe duhet të bëjnë luftë për këto të drejta dhe unë do thoja që presioni duhet të vijë në rritje.
Duhet të kuptojmë se në kohët e sotme kanë ndryshuar shumë gjëra dhe dikur ato të dhëna për të cilat diskutuam, koncepti i sektorëve thelbësor dhe jo-thelbësor tani po ndryshon, sepse nuk janë më sektorë jetikë si mjekësia apo policia, por janë shtuar dhe shumë të tjerë, sepse marrim shembull, ju e dini se sa të këqija mund t’i vijnë qytetarëve nga sulmet kibernetike".
© SYRI.net