SYRI TV/ Braktiset fshati Mirakë në Elbasan, të moshuarit në pamundësi për të punuar tokën

14:55, 08/05/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Braktisja e tokës bujqësore po ndikon ndjeshëm në prodhimin e produkteve vendase.
Fshati Mirakë, në Bashkinë e Elbasanit, po përjeton një braktisje të madhe për shkak të largimeve masive të fermerëve dhe të rinjve, çka ka çuar në uljen e ndjeshme të prodhimit bujqësor. Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një tregues shqetësues për ata pak fermerë që kanë mbetur, të cilët thonë se puna në fshat, sidomos në sektorin e bujqësisë, nuk preferohet më.

Miraka, dikur një ndër fshatrat më pjellorë të zonës përsa i përket pemtarisë, misrit dhe ullirit, sot përballet me zbrazjen e popullsisë. Fermerët e mbetur ngrenë shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore, duke theksuar gjithashtu mungesën e vlerësimit për punën në bujqësi.

Kohët e fundit, kulturat bujqësore në zonë janë rralluar ndjeshëm, duke mbetur pothuajse vetëm te kultivimi i ullirit. Largimi i të rinjve nga fshati ka ndikuar negativisht në prodhimin vendas, ndërsa ato pak produkte që kultivohen, përdoren kryesisht për konsum vetjak. Të moshuarit që kanë mbetur e kanë të pamundur të punojnë tokat.

Një tjetër problem shqetësues, i pranishëm edhe në zona të tjera të Shqipërisë, është mungesa e tregut dhe çmimet e ulëta të shitjes së produkteve, të cilat nuk mbulojnë as shpenzimet bazë të prodhimit. Fermerët e mbetur në zonë, të zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes institucionale, shprehen të gatshëm të largohen sapo t’u jepet mundësia e parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco