Divorci në Shqipëri mbetet një çështje e ndërlikuar, veçanërisht për gratë që përballen me dhunën në familje. Shumë prej tyre e shohin ndarjen si të vetmen zgjidhje, por procesi shpesh shoqërohet me sfida të mëdha ligjore dhe sociale.
Aktivistja Sevim Arbana ka ngritur shqetësimin për këtë realitet, duke theksuar kalvarin e mundimeve që gratë kalojnë pas vendimit për divorc. Në një intervistë në emisionin “Kafe Shqeto”, ajo analizoi problematikat e sistemit. Sipas saj, edhe pse shteti ka miratuar ligje të rëndësishme, zbatimi i tyre mbetet i dobët. Përmbarimi, gjykatat dhe korrupsioni janë disa nga pengesat kryesore me të cilat përballen gratë e divorcuara. Mbi të gjitha, siç thekson Arbana, shteti ka përgjegjësinë kryesore për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e këtyre grave dhe fëmijëve të tyre.
Arbana:
Kryesisht janë viktimat e dhunës gratë që kërkojnë divorc, numri është shumë i lartë i grave që kërkojnë divorc, por odiseja dhe i gjithë kalvari i mundimeve që ato heqin është i paimagjinueshëm dhe asnjë nuk e di konkretisht.
Historia e dhunës, ne kemi thënë herët që në 1995 kur filluam fushatat, para ligjit, thonim ‘mos hesht’. Të mos heshtesh do të thotë jo që ti, që në reagimin e parë, ta thuash publikisht, t’ia thuash prindërve, ose t’ia bësh të ditur komshive, por vetë të reagosh si grua dhe t’i thuash atij burrit: dëgjo, ti nuk je rregull, dhe unë ose do të ndryshoj ty, ti më ndrysho mua dhe të jetojmë, se kemi një jetë të gjatë përpara, ose kështu nuk shtyhet.
Por ato e lënë veten kaq gjatë në dorën e dikujt që mund të jetë i sëmurë, që mund të jetë patriarkal, që mund të jetë i të tërave, derisa arrijnë dhe bëhen viktima të dhunës, derisa ne kemi arritur të flasim për femicidin.
Kemi dramën e familjes, kemi dramën e njerëzve që nuk dinë ku janë, por ajo që është më kryesorja është problemi i fëmijëve. Kemi fëmijë të sëmurë rëndë nga këto; bëhen ose dhunues të ardhshëm, ose njerëz me probleme të shëndetit mendor, ose njerëz që nuk dinë ku ta ndërtojnë dhe si ta ndërtojnë jetën.
Shteti, nga ana tjetër, ka bërë mijëra ligje që janë kryevepra të gjitha. Problemi është si i aplikon shteti.
Nga 100 raste të urdhrit të menjëhershëm të ekzekutimit për detyrimin ushqimor, ti ke 20. Përmbarimi është një institucion skandaloz, duhet ta themi me plot gojën që është skandaloz, sepse sot, sipas ligjit, të paktën që nga 2008 deri më sot, ti si shtet nuk lejon punën në të zezë.
Tani, këto njerëz, këta burra që ndahen, këto gra që ndahen—sepse ka dhe gra që duhet të paguajnë detyrim ushqimor, mos e marrim bardh e zi gjithmonë, sepse ka fenomene—ku punojnë, si hanë, si i paguajnë detyrimet, si ushqehen?
Shteti e ka për detyrë; nuk e ka për detyrë as gjyqtari, as avokati që t’i shkojë pas. Nga ana tjetër, kemi pengesa shumë të mëdha që ndodhin në gjykata. Sistemi i drejtësisë ka qenë shumë maskilist, sepse ai e kishte më të lehtë të lobohej me burrin, t’i jepte një para në dorë dhe favorizonte këtë klient.
Lobohej me burrin, e bënte këtë korrupsion me burrin.
Kemi një mal me problematika në kontekstin e divorcit, që për mua hallka e parë, e vetmja dhe kryesorja, është shteti.
© SYRI.net