Gazmend Aga: Qerbelaja është simbol i tragjedisë intrafetare

Gazmend Aga: Qerbelaja është simbol i tragjedisë intrafetare

11:20, 01/04/2018
A+ Aa A-

Në Qerbela u tregua se politika mund të bëhet e pamëshirshme edhe ndaj familjes së Profetit Muhamed a.s. kur diskutohet pushteti absolut. Megjithëse të pafajshëm e të paarmatosur, një familje e tërë u masakrua, dhe sot e kësaj dite ka aq dhimbje e deluzion në atë ngjarje sa që shumë zgjedhin ta lënë në harresë e të mos e gërmojnë.

Por Qerbelatë vazhdojnë.

 Ajo që ndodhi në Siri ishte një luftë e pastër intrafetare. Pavarësisht kush i hedh benzinë zjarrit, në fund lënda e parë e zjarrit janë po myslimanët dhe pangopësia për pushtet politik, ose qasja e zgjidhjeve të problemeve me shpatë e dhunë, çon në rezultatin e mijëra grave e fëmijëve të vrarë e dhunuar.

 Megjithëse larg vëmendjes së shumë myslimanëve, të cilët është për të ardhur keq që dhimbjen ndaj padrejtësive jo rrallë e adresojnë sipas sekteve; pra nëse është i yni të dhemb, nëse jo lihet në harresë, ka edhe një “Qerbela” që po ndodh jo larg Shqipërisë; në Turqi.

 17 000 gra të burgosura, 700 fëmijë 1-6 vjeç në burg, dhjetra vetëvrasje nga njerëz që nuk i kanë rezistuar torturave, 50 000 burra të burgosur, 150 000 të hequr nga puna, dhjetëra mijëra të papunë të burgosur në Turqi të cilët as lejohen të largohen nga vendi, por trajtohen si të zgjebosur e nuk lejohen as të punojnë në asnjë vend me siguracion.

 A i dhemb kjo myslimanëve!? Cili ishte faji i këtyre njerëzve? Hapën shkolla, kurse dhe larguan të rinjtë nga droga, radikalizmi e papunësia? Apo pse janë vullnetarë të lëvizjes Gylen? Po Gyleni ç’u ka bërë myslimanëve e njerëzimit? Apo pse ka 50 vite që thotë arsim, kulturë e dialog? Apo pse u takua me Papën Gjon Pali i 2? Apo pse ishte i pari që dënoi sulmet e 11 Shtatorit? Pse insistoi për arsimimin e femrave? Apo pse tha që s’ka më kthim pas nga demokracia? Pse i qëndroi larg të ashtuquajturit “islamit politik”? Apo pse se dorëzoi lëvizjen e tij te “kalifi”!??

 Apo mos ndoshta është dialogu i famshëm: o Musa ti ke të drejtë, por Faraoni na mbush barkun…?

 Cilado qoftë prej këtyre; myslimanit duhet t’i dhembë kur sheh padrejtësi, sidomos ndaj fëmijëve, femrave, të moshuarve dhe të pafajshmëve. Qofshin këta sunni, shii, të krishterë apo hebrej. Neve, këtë moral profetik na kanë mësuar. Me këtë frymë i kemi ushqyer zemrat. Nëse s’kemi këtë ndjeshmëri; ose po mashtrojmë të parët tanë, ose veten. 

*Imam Gazmend Aga, Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco