Një studim i ri sugjeron se kur një yll shumë masiv shkatërrohet, ai mund të mos krijojë domosdoshmërisht një vrimë të zezë. Në vend të saj, mund të formohet një objekt teorik i quajtur gravastar, brenda të cilit lind një univers i vogël në zgjerim.
Normalisht, yjet gjigantë prodhojnë energji përmes bashkimit bërthamor, i cili krijon presion që kundërshton gravitetin. Kur karburanti i tyre mbaron, graviteti merr kontrollin dhe ylli fillon të shkatërrohet. Sipas teorisë tradicionale, kjo çon në formimin e një vrime të zezë me një singularitet, një pikë ku materia ngjishet në mënyrë ekstreme dhe ligjet e njohura të fizikës nuk funksionojnë më.
Pikërisht këto probleme kanë shtyrë disa shkencëtarë të kërkojnë alternativa. Një prej tyre është gravastari. Ndryshe nga vrimat e zeza, gravastarët do të kishin materie të zakonshme në shtresat e jashtme, ndërsa brenda do të përmbanin energji të errët. Kjo energji do të krijonte një presion të jashtëm që do të ndalonte shkatërrimin e plotë të yllit, duke shmangur formimin e singularitetit dhe të horizontit të ngjarjeve.
Fizikanët teorikë Daniel Jampolski dhe profesori Luciano Rezzolla kanë zhvilluar një model të ri matematikor bazuar në teorinë e relativitetit të përgjithshëm të Albert Ajnshtajnit. Sipas tyre, gjatë shkatërrimit të yllit mund të lindë një “mini-univers”, në një proces që i ngjan Big Bengut që krijoi universin tonë.
Ndërsa ky univers i vogël zgjerohet, ai ushtron presion kundër gravitetit që po e ngjesh yllin. Në fund krijohet një ekuilibër mes dy forcave, duke formuar një gravastar të qëndrueshëm.
Studiuesit besojnë se ky është shpjegimi i parë bindës për mënyrën se si gravastarët mund të krijohen nga materia e zakonshme. Megjithatë, ata theksojnë se kjo nuk do të thotë se vrimat e zeza nuk ekzistojnë. Sipas Rezzollës, vrimat e zeza mbeten shpjegimi më i thjeshtë dhe më i pranuar, por shkenca duhet të vazhdojë të shqyrtojë edhe ide alternative, pasi historia ka treguar se teoritë që dikur dukeshin të pazakonta mund të bëhen më vonë pjesë e njohurive të pranuara. / Scitech Daily – Syri.net
© SYRI.net