Silfiumi ishte një bimë e zhdukur nga Libia, e njohur për përdorimin e saj si kontraceptiv, ilaç dhe mall tregtar. Zhdukja e saj mbetet një mister historik dhe shkencëtarët vazhdojnë të kërkojnë pasardhës të mundshëm të saj.
Thuhet se udhëheqësi romak Jul Cezari mbante rezerva të saj në thesarin shtetëror. Ndërsa shkrimtari antik Plin Plaku shkruante se perandori romak Neron zotëronte kërcellin e fundit të kësaj bime.
Disa historianë madje kanë sugjeruar se marrëdhëniet jashtëmartesore të shpeshta në rrethet elitare romake krijuan një kërkesë aq të madhe për bimën, saqë ajo u shfrytëzua deri në zhdukje.
Po për cilën bimë bëhet fjalë?

Për silfiumin, një bimë tashmë e zhdukur që dikur rritej natyrshëm në territorin e Libisë së sotme.
Ajo përdorej si kontraceptiv dhe abortiv, si ilaç, erëz ushqimore, parfum dhe madje për përmirësimin e cilësisë së bagëtive. Vetitë e saj të veçanta e bënë një nga mallrat më të çmuara në botën greko-romake.
Pastaj, një ditë, ajo u zhduk.
Si dukej Silfiumi?
Sot silfiumi shpesh përshkruhet si afrodiziak, megjithëse asnjë burim antik nuk e konfirmon këtë.
Disa nga paraqitjet më të hershme të bimës tregojnë bishtajën e saj me formë zemre, gjë që mund të ketë ndikuar në lidhjen e saj me dashurinë dhe seksualitetin.
Figurat në monedha dhe statuja të vogla kanë bërë që botanistët modernë të mendojnë se silfiumi mund të ketë qenë i afërt me koprën gjigante të egër të gjinisë ferula. Megjithatë, ai nuk ka lidhje me bimët e gjinisë silphium që rriten në Amerikën e Veriut.
Paraqitjet e silfiumit pranë gazelave, një tjetër produkt karakteristik i Libisë, sugjerojnë se kërcelli i bimës arrinte zakonisht rreth 30 centimetra lartësi.
Nga kërcelli dhe rrënjët nxirrej një rrëshirë e cila ruhej në miell, duke bërë të mundur transportimin e saj nga Libia drejt tregjeve të largëta.
Si i ushqeu silfiumi ekonomitë e lashta
Romakët e quanin këtë rrëshirë “laser” ose “laserpicium”. Cilësia më e mirë nxirrej nga rrënja, ndërsa një variant më i dobët merrej nga kërcelli.
Edhe para romakëve, grekët e përdornin silfiumin. Ai ishte aq i rëndësishëm për ekonominë e disa rajoneve saqë shfaqej shpesh në monedha.
Grekët duket se nuk e mblidhnin vetë bimën. Ajo u jepej si tribut nga fiset libiane që jetonin në zonat ku rritej dhe që dinin si ta korrnin dhe përpunonin.
Kolonitë greke të rajonit përfituan nga kjo njohuri vendase, duke krijuar dhe furnizuar tregun me këtë produkt. Ky model i shfrytëzimit të njohurive të popullsive indigjene për përfitime ekonomike vazhdon të ekzistojë edhe në ekonominë globale të sotme.
Silfiumi në mjekësinë e lashtë dhe kontracepsioni
Silfiumi përmendet shpesh në traktatet mjekësore antike dhe zakonisht konsumohej së bashku me ushqimin. Në botën e lashtë, dallimi mes ushqimit dhe ilaçit nuk ishte aq i qartë sa sot; substancat kuruese shpesh shtoheshin në gatime të thjeshta, si qullrat me thjerrëza.
Në mjekësinë greko-romake, silfiumi konsiderohej një ushqim që nxiste krijimin e “erërave” në trup, të cilat besohej se pastronin bllokimet që shkaktonin sëmundje. Këto ushqime mendohej gjithashtu se parandalonin shtatzëninë ose shkaktonin abort, në varësi të momentit kur merreshin.
Mjeku grek Sorani i Efesit, në veprën e tij me katër vëllime mbi gjinekologjinë, të shkruar në shekujt I-II pas Krishtit, sugjeronte se barishte dhe erëza me shije të fortë, përfshirë silfiumin, mund të përziheshin me verë ose ushqime të thjeshta për kontracepsion oral. Ai vërente se këto metoda shpesh shkaktonin shqetësime në stomak.
Soranipërshkruante edhe metoda parandaluese që përfshinin aplikimin në qafën e mitrës të substancave si vaj ulliri i vjetër, mjaltë, rrëshirë, balsam, plumb i bardhë, vaj mirre, alumin i lagur, rrëshirë galbanumi dhe lesh i imët. Këto nuk ishin ilaçe në kuptimin modern, por mendohej se vepronin si pengesa fizike ose kishin veti antibakteriale dhe spermicidale.
Njohuritë e grave dhe efektiviteti i panjohur
Mbështetja vetëm te tekstet e shkruara nga burrat për të kuptuar mjekësinë e grave ka kufizimet e veta. Ka shumë gjasa që njohuritë mbi shtatzëninë, kontracepsionin dhe abortin të transmetoheshin kryesisht mes grave dhe të mos jenë regjistruar në tekstet mjekësore që kanë mbijetuar.
Sot nuk kemi prova të qarta për efektivitetin e silfiumit si kontraceptiv apo abortiv, pasi nuk disponojmë mostra të bimës për analiza.
Silfiumi nuk mund të kultivohej lehtësisht nga njeriu, ndaj sasia e tij ishte e kufizuar. Vlera e lartë ekonomike dhe kontrolli shtetëror mbi të shkaktuan tensione mes popullsive lokale. Gjatë periudhës romake raportoheshin raste vandalizmi dhe fermerë që lëshonin bagëtitë të kullosnin në zonat ku rritej bima.
Ndryshimet klimatike dhe shkretëtirëzimi i bregdetit verior të Afrikës mund të kenë kontribuar në zhdukjen e saj. Megjithëse romakët besonin se silfiumi ishte zhdukur që në shekullin I pas Krishtit, është e mundur që ai të ketë vazhduar të përdorej lokalisht deri në shekullin V.
Kërkimi për pasardhësit modernë të silfiumit
Janë bërë shumë përpjekje për të identifikuar bimë moderne që mund të jenë të afërta me silfiumin, por studiuesit nuk bien dakord për një kandidat të vetëm.
Një teori sugjeron se silfiumi mund të ketë qenë një bimë hibride që riprodhohej në mënyrë aseksuale, gjë që do ta bënte të vështirë për kultivim dhe më të prekshme ndaj zhdukjes.
Në vitin 2021, u identifikua një specie e re e koprës gjigante, Feruladrudeana, pranë vendbanimeve të lashta greke në Anadollin e sotëm, në Turqi.
Ajo ngjan shumë me paraqitjet e lashta të silfiumit. Është e mundur që farat e bimës të kenë mbërritur dikur nga Libia në Turqi dhe të kenë mbijetuar deri në ditët tona.
Megjithatë, pa gjetur fara autentike të silfiumit në depozita arkeologjike të datuara me siguri, kjo hipotezë nuk mund të vërtetohet.
Sot, shumë specie të koprës gjigante rriten në rajonin e Mesdheut, por raportimet e pasakta që i atribuojnë atyre veti afrodiziake, veçanërisht për trajtimin e disfunksioniterektil, kanë ngritur shqetësime për mbledhjen e tepërt të tyre nga natyra.Misteri i silfiumit vazhdon të mbetet një nga enigmat më intriguese të botës së lashtë. / Scitech Daily – Syri.net
© SYRI.net