Komisioni Evropian ka publikuar Kodin e Praktikës për shënimin dhe etiketimin e përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale, duke përcaktuar masa vullnetare për të ndihmuar ofruesit dhe përdoruesit e sistemeve të inteligjencës artificiale të respektojnë kërkesat për transparencë sipas Aktit të BE-së për Inteligjencën Artificiale.
KE-ja tha se detyrimet për transparencë do të hyjnë në fuqi më 2 gusht dhe do të kërkojnë etiketim të qartë të përmbajtjeve të krijuara ose të manipuluara nga inteligjenca artificiale në raste të caktuara. Sipas Aktit për Inteligjencën Artificiale, përmbajtjet e rreme të krijuara me inteligjencë artificiale (deepfake) si dhe tekstet e krijuara ose të modifikuara nga inteligjenca artificiale të publikuara për çështje me interes publik, duhet të identifikohen qartë.
Përdoruesit duhet të informohen kur ndërveprojnë me sisteme të inteligjencës artificiale, siç janë chatbotët. Sipas KE-së, rregullat synojnë të ndihmojnë qytetarët të dallojnë kur një përmbajtje është krijuar ose manipuluar nga inteligjenca artificiale, duke reduktuar rreziqet e mashtrimit dhe dezinformimit.
Kodi i Praktikës përbëhet nga dy seksione që trajtojnë kategori të ndryshme të aktorëve. Seksioni për ofruesit përshkruan masat për të siguruar që audio, imazhet, videot dhe tekstet e krijuara ose të manipuluara nga inteligjenca artificiale të shënohen në një format të lexueshëm nga makinat dhe të mund të identifikohen si të krijuara ose të modifikuara artificialisht.
Seksioni për përdoruesit shpjegon detyrimet e tyre për të etiketuar qartë përmbajtjet 'deepfake' dhe tekstet e krijuara ose të manipuluara nga inteligjenca artificiale, të publikuara për të informuar publikun mbi çështje me interes publik, kur nuk ka pasur shqyrtim njerëzor ose mbikëqyrje editoriale.
KE-ja tha se kërkesat për transparencë plotësojnë dispozitat më të gjera të Aktit për Inteligjencën Artificiale që rregullojnë modelet e inteligjencës artificiale me përdorim të përgjithshëm dhe sistemet e saj me rrezik të lartë, duke mbështetur zhvillimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në të gjithë BE-në.
Kodi i Praktikës është hapur për nënshkrim dhe KE-ja ftoi ofruesit dhe përdoruesit e sistemeve të inteligjencës artificiale t’i bashkohen kësaj nisme. Pasi të miratohet nga KE-ja dhe Bordi për Inteligjencën Artificiale, nënshkruesit do të jenë në gjendje të dëshmojnë përputhshmërinë me detyrimet përkatëse të transparencës të parashikuara nga Akti për Inteligjencën Artificiale.
KE-ja njoftoi se kodi do të shoqërohet me udhëzime që do të sqarojnë fushëveprimin e kërkesave ligjore dhe do të trajtojnë çështjet që nuk mbulohen nga dokumenti./ AA.
© SYRI.net