Biologu amerikan Craig Venter, një nga figurat më të rëndësishme të gjenetikës moderne dhe deshifrimit të gjenomit njerëzor, ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga Instituti J. Craig Venter (JCVI), të cilin ai e themeloi.
Sipas institutit, Venter ndërroi jetë pas shtrimit në spital, si pasojë e komplikimeve nga trajtimi i një forme të re kanceri, me të cilën ishte diagnostikuar së fundmi.
Venter konsiderohet një nga shkencëtarët që transformoi mënyrën se si kuptohet biologjia moderne. Ai luajti rol kyç në renditjen e gjenomit njerëzor dhe më vonë krijoi organizmat e parë bakterialë me gjenom të sintetizuar artificialisht, një arritje që nxiti debate të mëdha shkencore dhe etike.
Instituti që mban emrin e tij theksoi se trashëgimia e Venterit do të vazhdojë përmes kërkimeve në gjenetikë dhe biologji sintetike. ‘Craig besonte se shkenca përparon kur njerëzit guxojnë të mendojnë ndryshe dhe të ndërtojnë atë që ende nuk ekziston,’ u shpreh presidenti i JCVI, Anders Dale.
Venter lindi më 14 tetor 1946 në Salt Lake City, SHBA. Gjatë karrierës së tij, ai u bë një figurë shpesh debatueshme për qasjen e tij të shpejtë dhe jokonvencionale ndaj kërkimit, e cila herë pas here u kritikua si e nxituar.
Megjithatë, kontributet e tij u vlerësuan gjerësisht ndërkombëtarisht. Në vitin 2009, ai u nderua nga Presidenti amerikan Barack Obama me Medaljen Kombëtare të Shkencës, një nga vlerësimet më të larta shkencore në SHBA.
JCVI bëri të ditur se do të vijojë punën në fushat që ai nisi, duke e cilësuar Venterin si një nga mendjet më novatore të biologjisë moderne.
© SYRI.net