Studiuesit biomjekësorë kanë zhvilluar një mikroxhel të injektueshëm që mund të ndihmojë në uljen e gjakderdhjes tek foshnjat që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Në teste me modele shtazore, materiali i ri uli humbjen e gjakut me të paktën 50%. Studimi është publikuar në revistën Science Advances.
Kur një i rritur plagoset, gjakderdhja ndalet përmes një procesi me disa hapa të quajtur hemostazë. Por tek foshnjat ky proces funksionon ndryshe nga ai i të rriturve, gjë që mund të krijojë probleme gjatë operacioneve. Zakonisht, gjatë kirurgjisë foshnjat marrin transfuzion gjaku nga të rriturit për të kompensuar humbjen e gjakut, por kjo mund të shkaktojë mpiksje të tepërt dhe të rrisë rrezikun e trombozës, formimin e mpiksjeve të rrezikshme në mushkëri ose pjesë të tjera të trupit.
Për të reduktuar këtë rrezik, studiuesit krijuan një material të ri të quajtur BK-TriGs (mikrogele të aktivizuara nga B-knob). Fibrina është proteina kryesore që ndihmon në mpiksjen e gjakut, dhe një sekuencë e shkurtër aminoacidesh, e quajtur “peptidi B”, luan rol veçanërisht të rëndësishëm në hemostazën e foshnjave. Grimcat BK-TriGs janë projektuar pikërisht me këto peptide për të ndihmuar formimin e mpiksjeve aty ku nevojiten.
Këto grimca thithin ujë dhe shndërrohen në hidroxhele të buta që imitojnë vetitë mekanike të trombociteve natyrore, duke përmirësuar krijimin e rrjeteve të fibrinës dhe ndalimin e gjakderdhjes. Testet laboratorike treguan se BK-TriGs përmirësonin mpiksjen e gjakut më shumë në plazmën e foshnjave sesa tek të rriturit.
Në eksperimente me minj laboratorikë të modifikuar gjenetikisht, mikroxhelet reduktuan humbjen e gjakut me 50–60% krahasuar me grupin kontroll.
Studiuesit theksojnë se teknologjia është ende larg përdorimit klinik dhe kërkohen teste të tjera për sigurinë. Megjithatë, nëse provohet efektive, kjo metodë mund të jetë një mënyrë më e lirë dhe më e sigurt për të reduktuar transfuzionet e gjakut dhe për ta bërë kirurgjinë më të sigurt për foshnjat. / Medicalxpress – Syri.net
© SYRI.net