Aksolotlat mund të rigjenerojnë nga e para një organ kyç, duke forcuar sistemin imunitar

Aksolotlat mund të rigjenerojnë nga e para një organ kyç, duke forcuar sistemin imunitar

10:31, 10/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Timusi është një organ pak i njohur, por thelbësor për imunitetin. Ai ndodhet në pjesën e sipërme të kraharorit dhe trajnon qelizat T që luftojnë infeksionet. Me kalimin e moshës, timusi tkurret dhe zëvendësohet nga indi dhjamor, duke ulur ndjeshëm prodhimin e qelizave të reja T. Kjo dobëson sistemin imunitar dhe rrit rrezikun për infeksione, sëmundje autoimune dhe kancer.

Një studim i ri në Science Immunology ka zbuluar se aksolotlat, amfibë të njohur për aftësinë e tyre të rigjenerimit, mund ta rritin timusin nga e para pasi t'u hiqet kirurgjikisht. Kjo u verifikua tek aksolotlat e rinj, ku brenda 35 ditëve rreth 60% e tyre rigjeneruan struktura të reja të timusit. Rëndësia më e madhe është se rigjenerimi ndodhi "de novo", pra u krijua nga hiçi dhe jo nga mbetje të organit të vjetër.

Timusi është një organ parësor i sistemit limfatik dhe ka detyrën të "trajnojë" qelizat T të dallojnë midis qelizave të trupit dhe atyre që duhen sulmuar. Kur ky organ dëmtohet ose plaket, aftësia për të prodhuar qeliza të reja T bie ndjeshëm.

Shkencëtarët prej vitesh kërkojnë mënyra për të rikthyer funksionin e timusit përmes terapive qelizore apo bioinxhinierisë, por këto metoda vetëm ngadalësojnë procesin e plakjes së timusit, pa e rikthyer plotësisht. Aksolotlat ofrojnë provën e parë se rigjenerimi i plotë i timusit është i mundur tek një vertebror.

Studiuesit analizuan edhe çfarë e mundëson këtë proces në nivel molekular. Gjeni Foxn1, i rëndësishëm për zhvillimin e timusit, nuk e ndaloi rigjenerimin kur u çaktivizua, por prodhoi një timus më të vogël. Ndërsa faktori i rritjes midkine (MDK), një proteinë shumë aktive gjatë zhvillimit embrional, u rrit dukshëm pas heqjes së timusit. Kur MDK u bllokua, rigjenerimi u dobësua.

Këto rezultate mund të ndihmojnë në zhvillimin e terapive të reja për të përmirësuar funksionin e timusit tek njerëzit e moshuar ose pacientët me imunitet të dobët. / Discover Magazine - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco