Shkencëtarët në Universitetin e East Anglias dhe Oxford Biodynamics kanë zhvilluar një test revolucionar gjaku për sindromën e lodhjes kronike (ME/CFS) me 96% saktësi, duke ofruar shpresë për miliona të prekur në mbarë botën, përfshirë mbi 400,000 persona vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo gjendje, e karakterizuar nga lodhje ekstreme që nuk lehtësohet me pushim, ka qenë prej kohësh e pakuptueshme dhe mungojnë mjetet diagnostikuese të besueshme. Shumë pacientë raportojnë se janë injoruar ose u është thënë se sëmundja e tyre "është vetëm në kokën e tyre."
Testi përdor teknologjinë EpiSwitch 3D Genomics për të analizuar mënyrën se si ADN-ja është e palosur në mostrat e gjakut. Ndryshe nga testet gjenetike për sëmundjet trashëgimore, kjo qasje shqyrton shenjat "epigjenetike", modele të palosjes së ADN-së që ndryshojnë gjatë jetës së një personi dhe jo kodi gjenetik i fiksuar.
Shkencëtarët analizuan mostra gjaku nga 47 pacientë me ME/CFS të rënda dhe 61 individë të shëndetshëm, duke zbuluar një model unik që shfaqet në mënyrë të qëndrueshme te pacientët ME/CFS, por jo te të shëndetshmit. Testi arriti 92% ndjeshmëri (identifikon saktë ata me sëmundjen) dhe 98% specifikë (identifikon saktë ata pa sëmundjen).
Kryeshkencëtari prof. Dmitry Pshezhetskiy shpjegoi se ky zbulim mund të transformojë diagnostikimin dhe menaxhimin e ME/CFS, duke i dhënë fund viteve të diagnostikimeve të gabuara për shumë pacientë. Testi gjithashtu zbuloi rrugët e sistemit imunitar dhe inflamacionit të përfshira në sëmundje, gjë që mund të udhëheqë trajtime të synuara në të ardhmen.
Shkencëtarët shpresojnë gjithashtu që ky punim të hapë rrugën për një test të ngjashëm për diagnostikimin e COVID-it të gjatë, e cila shfaq grupe simptomash të ngjashme.
Platforma EpiSwitch ka treguar më parë sukses në identifikimin e shenjave për sëmundje komplekse si ALS, artriti reumatoid dhe disa lloje kanceresh. Prof. Pshezhetskiy theksoi se ky është herën e parë që kemi një test të thjeshtë gjaku që mund të identifikojë me besueshmëri ME/CFS, duke pasur potencialin të transformojë mënyrën se si diagnostikohet dhe menaxhohet kjo sëmundje komplekse. / Medicalxpress - Syri.net
© SYRI.net