Për disa njerëz, gjumi sjell një lloj të veçantë vigjilence. Jo një ëndërr, por një vetëdije e qetë pa përmbajtje. Kjo gjendje më pak e njohur e vetëdijes mund të mbajë çelësat e një prej mistereve më të mëdha të shkencës: çfarë do të thotë të jesh i vetëdijshëm.
Gjendja e gjumit të vetëdijshëm është përshkruar gjerësisht për shekuj nga tradita të ndryshme lindore kontemplative. Për shembull, shkolla filozofike indiane e Advaita Vedantës, e cila mbështetet në interpretimin e Vedave, një nga tekstet më të vjetra të hinduizmit, e kupton gjumin e thellë ose “sushupti” si një gjendje të “vetëdijes së pastër” ku ne thjesht mbetemi të vetëdijshëm.
Interpretimet e ngjashme të gjumit të thellë i gjejmë edhe në traditën Dzogchen të budizmit indo-tibetian. Sipas mësimeve të tyre, mund të ndiqen praktika të ndryshme medituese gjatë zgjimit dhe gjumit për të njohur “thelbin” e vetëdijes. Një nga këto praktika është joga e ëndrrës ose joga e ndriçimit, e cila i mundëson praktikuesit të njohë gjendjet e ëndrrës dhe të gjumit. Qëllimi është t’i sjellë ata në një gjendje të “vetëdijes së pastër,” një gjendje të qenit i zgjuar brenda gjumit pa mendime, imazhe apo edhe ndjesi të vetvetes.
Për shkencën perëndimore, kjo gjendje paraqet një enigmë. Si mund të jesh i vetëdijshëm pa qenë i vetëdijshëm për diçka? Nëse këto raporte janë të sakta, ato sfidojnë teoritë kryesore që e trajtojnë vetëdijen gjithmonë në lidhje me një objekt. Për shembull, vetëdijen time për laptopin përpara meje, qiellin blu mbi dritare apo frymëmarrjen time. Ekzistenca e kësaj gjendjeje na shtyn të rimendojmë se çfarë është vetëdija.
Përvojat e gjumit pa objekt
Unë e kolegët e mi vendosëm të eksplorojmë se si ndihet një gjendje pa përmbajtje gjatë gjumit, përmes një sërë studimesh. Fillimisht anketuam 573 persona online mbi format e pazakonta të përvojave të gjumit, duke përfshirë format e vetëdijes në gjumë që mund të jenë më të thjeshta ose minimale. Për shembull, një vetëdije pas shpërbërjes së një ëndrre, ose një vetëdije e thjeshtë e faktit që je duke fjetur thellë.
Më pas zhvilluam intervista të detajuara me 18 pjesëmarrës, të cilët raportuan se kishin përjetuar ndonjë formë të përvojave të gjumit pa objekt, duke përdorur një protokoll të frymëzuar nga intervista mikro-fenomenologjike. Kjo është një metodë kërkimore e krijuar për t’i ndihmuar njerëzit të kujtojnë dhe përshkruajnë në hollësi aspektet më të ndjeshme të përvojës së tyre.
Në ato studime, zbuluam një spektër përvojash që i quajtëm “përvoja gjumi pa objekt”, gjendje të vetëdijshme që duken sikur u mungon objekti i vetëdijes. Në të gjitha rastet, pjesëmarrësit që përmendnin një përvojë të tillë raportonin se kishin pasur gjatë gjumit një episod pa përmbajtje shqisore, që përfshinte thjesht ndjenjën e të diturit se ishin të vetëdijshëm.
Disa prej përvojave të tyre përputheshin me përshkrimet e gjumit të vetëdijshëm në traditat filozofike lindore: pa objekte dhe pa vetë, pa asnjë ndjenjë të “unit” që mbetej. Pjesëmarrësit raportonin se vetvetja dukej sikur ishte zhdukur ose shpërbërë, një gjendje e ngjashme me atë të “shpërbërjes së egos të shkaktuar nga droga,” e raportuar pas marrjes së substancës psikedelike DMT, ose në gjendje të thella meditimi.
Raporte të tjera nga studimi ynë përfshinin një ndjesi të zbehtë të të qenit “atje” në një gjendje të papërcaktuar, ose një vetëdije për “asgjënë” apo një “zbrazëti.” Për disa, përvoja përfshinte gjurmë të formave rudimentare të ëndërrimit, ndjesinë e të qenit në një botë, edhe pse ajo botë dukej sikur mungonte.
Megjithëse përvojat e gjumit pa objekt, si gjumi i vetëdijshëm, kryesisht lidhen me praktika kontemplative si joga e ëndrrës, rezultatet tona tregojnë se edhe njerëz pa njohuri mbi këto praktika i përjetojnë ato. Madje, anketa jonë online nuk tregoi ndonjë lidhje mes angazhimit në praktika medituese dhe përvojave të gjumit pa objekt.
Megjithatë, rezultatet treguan se përvoja e ëndërrimit lucid, kur e kupton se je duke ëndërruar por qëndron në gjumë, dukej se lidhej me përvojat e gjumit pa objekt. Duhet theksuar, ama, se shumë pjesëmarrës që mund të ëndërronin lucid nuk raportuan përvoja të gjumit pa objekt.
Trajnimi për gjumin lucid
Rrallësia e përvojave të gjumit pa objekt i bën ato të vështira për t’u studiuar. Nevojiten metoda trajnimi për t’i nxitur këto përvoja, në mënyrë që të kuptohen më mirë.
Në një studim të fundit, kolegët e mi dhe unë testuam një protokoll të ri induksioni që kombinonte meditim, vizualizim dhe teknika të ëndërrimit lucid. Katër pjesëmarrës mësuan të qëndronin të vetëdijshëm ndërsa zhyteshin në gjumë dhe të jepnin sinjalin se ishin lucid përmes një lëvizjeje të syve të rënë dakord paraprakisht. Regjistrimet portative EEG, që matin aktivitetin elektrik të trurit, konfirmuan se disa gjendje pa objekt ndodhën gjatë gjumit jo-REM (gjumi me valë të ngadalta). Shkencëtarët besojnë se gjumi jo-REM nuk përmban gjendje të ndërlikuara të vetëdijshme si ato gjatë ëndërrimit, edhe pse forma më të thjeshta të përvojave të gjumit mund të ndodhin.
Gjumi pa ëndrra dhe kërkimi për vetëdijen
Aktualisht nuk ka marrëveshje mes shkencëtarëve për bazën e vetëdijes. Disa teori të njohura thonë se vetëdija lind kur informacioni shpërndahet në tru. Megjithatë, ende ka debate mbi llojin e informacionit që trurit i nevojitet për përpunim njohës.
Përvojat e gjumit pa objekt e zgjerojnë pamjen tonë për atë se si është të jesh i vetëdijshëm gjatë gjumit. Vetëdija në gjumë është studiuar tradicionalisht kryesisht në lidhje me ëndrrat dhe përvojat e ngjashme me ëndrrat, por kohët e fundit ka një ndryshim në këtë trend.
Format minimale të vetëdijes, si ato që shfaqen te përvojat e gjumit pa objekt, mund të hapin rrugë për rafinimin e teorive tona mbi vetëdijen. Ekzistenca e tyre tregon një formë vetëdijeje të zhveshur plotësisht nga përmbajtja. Për më tepër, studimi i këtyre përvojave mund të na ndihmojë të kuptojmë gjendjet e ndryshuara të vetëdijes, përfshirë meditimin e thellë, privimin shqisor, apo edhe boshatisjen mendore, episodet kur mendja duket sikur zbrazet ose nuk shkon “askund.”
Fakti që njerëzit mund të jenë të vetëdijshëm për “asgjënë” ndërsa flenë, mund të na tregojë më shumë për mendjen sesa ndonjë ëndërr ndonjëherë. / Medicalxpress - Syri.net
© SYRI.net