Uranit i shtohet një hënë e re, numri shkon në 29

Uranit i shtohet një hënë e re, numri shkon në 29

10:46, 20/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një hënë e re, ende pa emër, është zbuluar duke u rrotulluar rreth Uranit, duke e çuar numrin total të hënave të planetit në 29. Zbulimi u bë i ditur të martën nga NASA, e cila njoftoi se sateliti i vogël është vetëm 10 kilometra i gjerë dhe u dallua nga Teleskopi Hapësinor Webb përmes kamerës infra të kuqe gjatë vëzhgimeve të kryera në shkurt.

Sipas shkencëtarëve, hëna ishte e vështirë për t’u identifikuar për shkak të madhësisë së saj të vogël dhe shkëlqimit të zbehtë, duke i shpëtuar edhe misionit Voyager 2 gjatë fluturimit pranë Uranit rreth 40 vite më parë.

Aktualisht, Urani ka 28 hëna të emërtuara sipas personazheve të Shekspirit dhe Aleksandër Pope, ku gjysma e tyre janë të vogla dhe të afërta me planetin. Hëna e sapozbuluar rrit shpresat se mund të ekzistojnë edhe shumë satelitë të tjerë të vegjël të paidentifikuar ende.

“Ndoshta ka shumë më tepër prej tyre dhe ne thjesht duhet të vazhdojmë të kërkojmë”, deklaroi shkencëtari planetar Matthew Tiscareno nga Instituti SETI në SHBA, i përfshirë në zbulim.

Sipas të dhënave të NASA-s, planetët e tjerë të sistemit diellor numërojnë shumë më tepër hëna: Saturni mban rekordin me 274, pasuar nga Jupiteri me 95, Neptuni me 16, Marsi me 2, ndërsa Toka me një të vetme. Ndërkohë, Mërkuri dhe Venusi mbeten planetë pa asnjë satelit natyror.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco