Dredhza Braina, eksperte nga Kosova në fushën e sigurisë kibernetike, është vlerësuar me çmimin ndërkombëtar ‘Cybersecurity Woman of the Year 2025’ në kategorinë ‘Barrier Breaker’, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky çmim i rëndësishëm ndërkombëtar nderon gratë që kanë thyer kufijtë tradicionalë dhe kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në industrinë globale të sigurisë kibernetike, duke u bërë modele frymëzuese për brezat e rinj.
Braina, e cila po forcon pozicionin e saj si një prej zërave më premtues në teknologji, u shpreh me mirënjohje pas marrjes së çmimit, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes nga familja, komuniteti dhe kolegët në rrugëtimin e saj profesional.
‘Jam thellësisht e nderuar për këtë vlerësim. Ky çmim nuk është vetëm i imi, ai i takon gjithë atyre që kanë besuar tek unë dhe më kanë mbështetur në çdo hap’, tha Braina.
Kjo arritje e veçantë përfaqëson jo vetëm një sukses individual, por edhe një hap përpara për praninë e grave shqiptare në sektorin global të teknologjisë. Me përkushtimin e saj për të promovuar barazinë, inovacionin dhe edukimin në fushën digjitale, Dredhza Braina po frymëzon një brez të ri profesionistësh nga Kosova dhe më gjerë.
© SYRI.net