Kohëzgjatja e ditës po shkurtohet/ Çfarë po ndodh me rrotullimin e Tokës?

Kohëzgjatja e ditës po shkurtohet/ Çfarë po ndodh me rrotullimin e Tokës?

17:28, 05/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kohëzgjatja e ditës në Tokë sot do të jetë pak më e shkurtër se 24 orë, sipas të dhënave nga portali timeanddate.com.
Megjithëse ndryshimi është i papërceptueshëm për njeriun, vetëm 1.25 milisekonda më pak nga standardi i 86.400 sekondave të një dite diellore, fenomeni është pjesë e një tendence shqetësuese që ka vënë në alarm komunitetin shkencor: Toka po rrotullohet gjithnjë e më shpejt, dhe askush nuk ka ende një shpjegim të qartë përse.

Çfarë është një ditë në Tokë?

Për të kuptuar këtë ndryshim, është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë do të thotë ‘ditë’.
Koha që i duhet Tokës për një rrotullim të plotë 360 gradësh quhet ditë yjore, dhe ajo zgjat ‘23 orë e 56 minuta e 4,1 sekonda’, sipas EarthSky.
Ky është edhe shkaku pse yjet dhe planetët lindin rreth katër minuta më herët çdo natë dhe pse qielli i natës ndryshon gradualisht nga një stinë në tjetrën.

Në jetën e përditshme, megjithatë, ne përdorim të ashtuquajturën ditë diellore, kohëzgjatja nga një mesditë në tjetrën, që është pikërisht 24 orë. Dhe është pikërisht kjo kohë që ka nisur të shkurtohet në mënyrë të pashpjegueshme.

Tre ditë më të shkurtra në vitin 2025

Sipas parashikimeve të shkencëtarëve, gjatë vitit 2025 do të ketë të paktën tre ditë kur kohëzgjatja diellore do të jetë më e shkurtër se 24 orë:

-9 korrik 2025: më e shkurtër me 1,23 milisekonda

-22 korrik 2025: më e shkurtër me 1,36 milisekonda

-5 gusht 2025: më e shkurtër me 1,25 milisekonda

Roli i Hënës në rrotullimin e Tokës

Që nga viti 1973, kur nisën matjet zyrtare, dita diellore kishte tendencë të zgjatej, kryesisht për shkak të ndikimit të Hënës.
Ndërsa ajo rrotullohet rreth Tokës, krijon forca baticore që e shtyjnë në një orbitë gjithnjë e më të largët. Ky proces ndikon duke ngadalësuar rrotullimin e Tokës, gjë që çon në ditë më të gjata.

Megjithatë, pozicioni i saktë i Hënës, veçanërisht devijimi i saj në raport me ekuatorin tokësor, mund të ndikojë edhe në ditë më të shkurtra, si ato të përmendura më sipër. Ndryshimet e vogla në forcat baticore që ajo ushtron mund të përshpejtojnë lehtë rrotullimin e Tokës.

Pse po përshpejtohet rrotullimi i Tokës?

Edhe pse ndikimi i Hënës ndihmon në shpjegimin e fluktuacioneve afatshkurtra, shkaku i përshpejtimit të përgjithshëm të Tokës mbetet mister.
Disa teori përmendin ndryshimet klimatike, por shumica e shkencëtarëve shohin si shkaktar të mundshëm ngadalësimin e bërthamës së brendshme të Tokës.
Kur bërthama e brendshme lëviz më ngadalë, pjesa e jashtme e planetit rrotullohet më shpejt për të ruajtur ekuilibrin e momentit rrotullues.

A do të ndryshojë koha siç e njohim?

Nëse kjo prirje vazhdon, deri në vitin 2029 mund të ndodhi diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë: të shtohet një sekondë negative.
Deri më sot, për të përballuar ngadalësimin e rrotullimit të Tokës, janë shtuar të ashtuquajturat ‘sekonda kërcimi’ në kohën zyrtare, për të sinkronizuar orët atomike me kohën astronomike.

Por nëse Toka vazhdon të përshpejtojë, hera e parë në histori që do të nevojitet të hiqet një sekondë nga ora botërore mund të mos jetë e largët, një hap që do të kishte ndikim të madh në sistemet globale të matjes së kohës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco