Një zbulim i ri shkencor hedh dritë mbi origjinën e patates moderne, një nga produktet më të rëndësishme bujqësore në botë.
Sipas një studimi të botuar të enjten në revistën Cell, patatja e sotme është krijuar përmes kryqëzimit gjenetik midis domates dhe llojeve të egra të patates.
Një ekip ndërkombëtar studiuesish analizoi 450 gjenomë të patates së kultivuar dhe 56 lloje të egra, duke zbuluar se patatja moderne rrjedh gjenetikisht nga dy lloje të lashta, që sot janë shumë të ndryshme mes tyre.
Rreth 60% e gjenomit vjen nga familja Etuberosum në Kili, e cila përfshin tri lloje patatesh të ngjashme me pataten moderne, por pa gungën, pjesën e ngrënshme të saj. Ndërsa 40% e gjenomit i përket domates.
“Ky rezultat tregon se patatja është një hibrid i lashtë dhe nuk është krijuar nga mutacione të mëvonshme gjenetike,” tha Sandra Nap, botaniste në Muzeun e Historisë Natyrale të Britanisë së Madhe.
Profesor Lorenz Reisemberg nga Universiteti i British Columbia, një nga autorët e studimit, e përshkroi këtë gjetje si një ‘ndryshim thelbësor’ në kuptimin e evolucionit. Ai theksoi se ndërsa më parë besoheshin kryesisht mutacionet për shfaqjen e specieve të reja, sot është e qartë se hibridizimi ka luajtur një rol shumë më të madh sesa mendohej.
“Studimi tregon se një ngjarje hibridizimi mund të shkaktojë krijimin e një organi të ri dhe të sjellë një diversitet të ri gjenetik,” tha James Mallett, profesor i biologjisë evolucionare në Harvard.
Patatet moderne trashëguan një kombinim të qëndrueshëm gjenesh nga dy prindërit, duke i bërë ato bimë të forta dhe rezistente ndaj kushteve të ndryshme klimatike. Gungat e tyre, pjesa e tyre e ruajtjes së energjisë, u mundësojnë mbijetesë dimrin, thatësirën dhe riprodhim pa nevojën e fara ose polenizatorëve.
Një gjen nga domatja lidhet me formimin e gungës, por funksionon vetëm në bashkëpunim me një gjen nga bima Etuberosum që lejon zhvillimin nëntokësor.
Veçoria e riprodhimit asexual, pa fara dhe polenizatorë, e bëri pataten të përhapet shpejt në Amerikën e Jugut dhe më pas të shpërndahet në mbarë botën përmes njerëzve.
Patatja u soll në Evropë nga Andet në shekullin e 16-të me anijet spanjolle. Fillimisht u prit me dyshim për shkak të mënyrës së saj të rritjes nëntokë dhe mungesës së përmendjes në Bibël, por më pas u pranua për vlerat ushqyese dhe qëndrueshmërinë ndaj kushteve të vështira, duke u bërë një ushqim kryesor në shumë vende.
Sanwen Huang nga Instituti i Gjenomikës Bujqësore në Shenzhen, pjesëmarrës në studim, njoftoi se laboratori i tij po zhvillon një hibride patate që riprodhohet me fara, një hap që mund të përshpejtojë kultivimin dhe përmirësimin e këtij produkti të rëndësishëm. Syri.net-CNN.gr
© SYRI.net