Zhvillimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale ofron përfitime të mëdha për vendet dhe shoqëritë në mbarë botën, por njëkohësisht mbart edhe rreziqe të konsiderueshme, paralajmërojnë 40 shkencëtarë dhe ekspertë kryesorë në raportin e parë të një komiteti të pavarur shkencor të Kombeve të Bashkuara.
Raporti, i cili do t’u prezantohet qeverive në sesionin inaugurues të Dialogut Global të OKB-së mbi Qeverisjen e IA-së më 6–7 korrik në Gjenevë, përbën vlerësimin e parë shkencor global dhe të pavarur mbi këtë teknologji. Një raport më i detajuar pritet të publikohet vitin e ardhshëm.
Komiteti është i përbërë nga ekspertë të zgjedhur nga të gjitha rajonet e botës dhe funksionon në mënyrë të pavarur nga qeveritë, institucionet apo kompanitë.
Sipas raportit, politikat publike kanë nevojë urgjente për prova shkencore për të “qeverisur” IA-në, por zhvillimi i teknologjisë po ecën më shpejt sesa kuptimi shkencor dhe aftësia e qeverive për t’u përshtatur. Po ashtu, theksohet mungesa e metodave efektive për kontrollin e sistemeve gjithnjë e më autonome.
Bashkëkryetari i komitetit, Yushua Benzio, ka ngritur shqetësime për rritjen e provave të sjelljeve mashtruese të sistemeve të IA-së, duke paralajmëruar se teknologjia mund të shkaktojë dëme serioze “si nga vetë sistemet, ashtu edhe nga përdorues keqdashës”.
Raporti thekson se, ndonëse përfitimet e IA-së janë “të jashtëzakonshme”, zhvillimi i pakontrolluar i saj mund të sjellë rreziqe për shëndetin mendor, sistemet sociale, ekonominë dhe mjedisin, si dhe sfida në kontrollin e teknologjisë.
Një tjetër shqetësim është përdorimi i pabarabartë i IA-së në botë: mbi një miliard njerëz e përdorin tashmë çdo javë, por vendet në zhvillim mbeten prapa. Po ashtu, SHBA dhe Kina dominojnë infrastrukturën globale të IA-së, duke kontrolluar pjesën më të madhe të fuqisë llogaritëse.
Ekspertët ngrenë alarmin edhe për kufizimet gjuhësore të modeleve ekzistuese, të cilat janë trajnuar vetëm në një pjesë të vogël të mbi 7,000 gjuhëve në botë, çka mund të sjellë gabime serioze në fusha kritike si mjekësia.
Raporti paralajmëron gjithashtu për rritjen e rrezikut të dezinformimit, deepfake-ve dhe materialeve të abuzimit seksual të gjeneruara nga IA, duke theksuar se këto zhvillime mund të dëmtojnë besimin publik dhe demokracinë.
Sipas OKB-së, shumica e vendeve nuk kanë ende kapacitetet teknike për të vlerësuar apo qeverisur në mënyrë efektive sistemet më të avancuara të inteligjencës artificiale.
© SYRI.net