Papirusi i Ebersit, që daton rreth vitit 1550 para Krishtit në Egjipt, është një papirus 20 metra i gjatë që dokumenton trajtime për sëmundje të ndryshme. Ai përzien magjinë me kura proto-shkencore, si shkaktimi i të vjellave nga peshku e birra, apo aplikimi i një paste me mjaltë, malakit, stiraks dhe jashtëqitje qeni për lehtësimin e dhimbjes. Disa përshkrime interpretohen si për migrenë, si p.sh. një “sëmundje në gjysmën e kokës”, por dijetarët nuk janë të një mendjeje nëse kjo përputhet me konceptin modern të migrenës.
Në papirus janë përmendur edhe trajtime si vendosja e kafka e peshkut samsal të skuqur në vaj mbi kokë, një metodë që përdorej edhe për të nxjerrë gjemba nga trupi, duke treguar mungesën e specifikës në trajtime. Disa studiues, si Rosalind Park, sugjerojnë se termi mustak “i skuqur” mund të ketë qenë metaforik dhe të ketë nënkuptuar përdorimin e peshkut elektrik për të dhënë goditje elektrike, ndoshta si një formë e hershme e elektroterapisë. Kjo teori përkon me trajtime moderne të migrenës si pajisjet Cefaly dhe gammaCore, të cilat stimulojnë nerva si trigeminali apo vagusi për të lehtësuar dhimbjen. Edhe pse rezultatet ndryshojnë nga pacienti në pacient, këto trajtime tregojnë sa larg kemi ardhur, dhe si disa ide të lashta duket se gjejnë pasqyrim sot.
Megjithatë, nuk është e sigurt nëse egjiptianët përdorën elektroterapi për migrenat. Por përshkrimi në Papirusin e Ebersit për një “sëmundje të njëanshme të kokës”, një tipar i zakonshëm i migrenës, përmendet shpesh në historinë e këtyre çrregullimeve, ndonëse ndonjëherë rëndësia e dokumentit tejkalohet.
Disa burime i atribuojnë Ebersit edhe trajtime të tjera, si vendosja e një figurine balte në formë krokodili mbi kokë, të mbushur me bimë shëruese. Por sipas egjiptologut Lutz Popko, ky trajtim nuk gjendet në Papirusin e Ebersit, por në një tekst tjetër më të vonë, Papirusin Chester Beatty V nga viti 1200 para Krishtit. Pavarësisht pasaktësive, është e qartë se njerëzit kanë vuajtur nga dhimbje koke të ngjashme me migrenën që në kohë të lashta, edhe pse shkaku i saktë mbetet i panjohur.
Nëse migrena është kaq dobësuese, pse nuk është zhdukur përmes evolucionit? Ajo është e vjetër, e përhapur dhe me një përqindje të qëndrueshme në popullata të ndryshme, gjë që tregon se ka baza të forta gjenetike dhe neurobiologjike. Migrena është shpesh trashëguese, nëse ke familjarë me migrenë, rreziku yt është më i lartë.
Elizabeth Loder, neurologe dhe një prej figurave kryesore në shkencën moderne të dhimbjes së kokës, ka shqyrtuar disa teori për këtë qëndrueshmëri. A mund të jetë migrena një mekanizëm i lashtë mbrojtës, që e shtyn njeriun të izolohet e të pushojë? Apo është një efekt anësor i një sistemi nervor shumë reagues, një kosto që e shoqëron këtë “shpejtësi”? A mund të mbrojë migrena nga ndonjë patogjen i panjohur? Apo ndoshta migrena është më e re sesa mendojmë dhe thjesht nuk kemi pasur kohë ta eliminojmë?
Loder ka sugjeruar gjithashtu se migrena mund të vijë nga një “konflikt komunikimi” mes strukturave të lashta të trurit si trungu i trurit dhe pjesëve më të reja si neokorteksi, pjesa më e avancuar e trurit. Ajo e krahason këtë me përpjekjen për të përdorur një printer modern me një kompjuter shumë të vjetër, nuk përshtaten mirë, dhe ndodhin “defekte”.
Edhe Paul Rolan, farmacolog klinik nga Universiteti i Adelaides, e ndan këtë kuriozitet. Ai thekson se migrena duket të jetë një tipar vetëm te njerëzit, nuk është parë ndonjë formë e ngjashme te kafshët. Dhe kjo është e çuditshme, sepse migrena prek kryesisht të rinjtë. Zakonisht, evolucioni eliminon sëmundjet që dëmtojnë individët në moshë riprodhuese, por kjo nuk ka ndodhur me migrenën. Pse?
Edhe Çarls Darvini, babai i teorisë së evolucionit, vuante nga dhimbje të forta koke. Gjatë një krize në Buenos Aires, ai përmend në ditarët e tij se vendasit i rekomanduan të vendoste lëkurë portokalli ose kokrra të çara bishtajash në tëmtha dhe t’i linte aty derisa të binin vetë. Edhe pse është e paqartë nëse këto kura ndihmonin, ato tregojnë se kjo vuajtje është universale dhe e përhershme.
Nëse migrena është produkt i biologjisë, pse nuk është zhdukur? Ndoshta truri ynë është thjesht shumë kompleks. Evolucioni nuk sjell përsosmëri, ndonjëherë tiparet negative mbijetojnë sepse lidhen me funksione të dobishme. Ndoshta një tru reagues na ndihmon të mbijetojmë, por rrit rrezikun për migrenë. Ose ndoshta migrena ofron mbrojtje nga diçka që ende nuk e kemi zbuluar.
Për ata që vuajnë sot, fakti që edhe njerëzit e lashtë, madje edhe Darvini, kanë kaluar të njëjtën dhimbje, mund të sjellë një lloj ngushëllimi. Edhe pse migrena mbetet një mister i kokëfortë mjekësor, historia e saj na lidh me qytetërimet e lashta dhe rrugën tonë evolucionare. Nga goditjet elektrike të peshkut në Nil te pajisjet moderne neurostimuluese, kërkimi për lehtësim vazhdon, i udhëhequr nga shkenca dhe qëndrueshmëria njerëzore. / Big Think - Syri.net
© SYRI.net