Një xhel i thjeshtë ka rikthyer shikimin te njerëzit që vuajnë nga një gjendje e rrallë dhe e patrajtueshme më parë, që shkakton verbëri, kanë thënë shkencëtarët.
HPMC, hidroksipropil metilceluloza, një xhel me kosto të ulët që përdoret në shumicën e operacioneve të syrit, ka rikthyer shikimin te shtatë nga tetë pacientë me hipotoní, sipas studiuesve në Spitalin e Syve Moorfields në Londër.
Hipotonia, që prek rreth 100 persona në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit, është presion jonormalisht i ulët brenda syrit, i cili zakonisht çon në ndryshimin e formës së tij.
Pas 12 muajsh injeksionesh me HPMC çdo dy javë, studiuesit zbuluan se forma e syrit ishte rikthyer në normalitet.
Xheli i pastër dhe pa ngjyrë përdoret zakonisht gjatë operacioneve për të ruajtur formën e syrit, ose për të mbrojtur sipërfaqen e tij dhe për të parandaluar tharjen.
Harry Petrushkin, mjek okulist këshilltar në Moorfields, tha se pacientët që i janë nënshtruar një operacioni në sy "me shumë gjasë e kanë pasur këtë xhel brenda ose mbi sy në një moment, por zakonisht ai lahet dhe hiqet në fund të operacionit".
Ai tha se kjo substancë "shumë e sigurt" është "e ngjashme me mbushësit kozmetikë".
"Ajo mbush hapësirën, por në këtë rast e mbush syrin me diçka që është transparente dhe e tejdukshme, dhe lejon të jepet sasia e duhur për çdo pacient, që syri të kthehet në madhësinë që duhet," shtoi ai.
"Pak a shumë si kur fryn një top: e fryn deri në madhësinë e saktë dhe pastaj syri sheh shumë më mirë."
Hipotonia mund të shkaktohet nga "një sërë sëmundjesh të ndryshme", si edhe nga trauma, inflamacioni ose komplikacionet pas operacionit, dhe të gjitha trajtimet e deritanishme "kanë pasur mjaft probleme".
Aktualisht, ajo trajtohet duke mbushur syrin me vaj silikoni, i cili mund të jetë toksik për syrin dhe "nuk është i mirë" në planin afatgjatë.
"Avantazhi i përdorimit të një xheli në vend të vajit të silikonit është se mund të shohësh shumë më mirë përmes tij," tha Petrushkin.
Studimi, i botuar në British Journal of Ophthalmology, përfshiu tetë pacientë me hipotoní, të cilëve iu injektua HPMC çdo dy javë.
Injeksionet jo vetëm që rikthyen formën e syrit, por edhe shikimin te shtatë pacientë pas 12 muajsh trajtimi, pa "asnjë efekt anësor serioz deri tani", tha Petrushkin.
Në disa raste, injeksionet u ndërprenë pasi syri u kthye në madhësinë normale.
Nicki Guy, 47 vjeçe, e cila trajtohet nga Petrushkin që nga viti 2019 dhe mori pjesë në studim, tha se tani është "shumë pranë mundësisë për të drejtuar makinën sërish pasi i është kthyer shikimi në syrin e majtë".
"Nëse mbetet kështu për gjithë jetën time, do të isha jashtëzakonisht e lumtur.
"Kam arritur shkoj për ski me djalin tim. Më pëlqen të bëj fotografi, kështu që tani mund ta bëj sërish.
"Ende kam sfida me shikimin tim, por krahasuar me gjendjen ku isha më parë, është diçka e jashtëzakonshme."
Deri tani, Moorfields ka trajtuar 35 pacientë me hipotoní në këtë mënyrë dhe Petrushkin tha se "rezultatet po rezistojnë".
Ai tani po aplikon për financim për një provë klinike më të madhe, për të testuar xhele të ndryshme dhe për të parë cili kërkon më pak injeksione. / Sky News – Syri.net
© SYRI.net