Në një kohë kur produktet “zero sheqer” po pushtojnë tregun dhe dietat pa sheqer po fitojnë gjithnjë e më shumë ndjekës, nutricionistët paralajmërojnë se e vërteta për sheqerin nuk është aq e thjeshtë sa duket.
Sheqeri i bardhë është cilësuar prej kohësh si një nga armiqtë kryesorë të shëndetit modern. Por, sipas nutricionistes dhe dietologes Tanja Olajdzija, demonizimi i plotë i tij nuk është gjithmonë i justifikuar. Në disa situata, një sasi e vogël sheqeri të zakonshëm mund të jetë madje më e mirë dhe më e sigurt se ëmbëlsuesit artificialë.
Një karburant natyral që trupi e njeh
Sheqeri i bardhë, i njohur si saharoza, zbërthehet në glukozë dhe fruktozë – burime energjie që trupi ynë i përdor çdo ditë.
“Sasia e vogël e sheqerit mund të rrisë shpejt nivelin e energjisë, të përmirësojë përqendrimin dhe të sjellë ndjenjë kënaqësie, veçanërisht kur trupi është i lodhur,” shpjegon Olajdzija.
Kur sheqeri i bardhë është zgjedhja më e mirë
1. Kur mëlçia është e mbingarkuar
Mëlçia ka rol të rëndësishëm në përpunimin e ëmbëlsuesve artificialë. Në raste lodhjeje, përdorimi të gjatë të barnave apo funksionit të reduktuar të mëlçisë, përpjekja shtesë për metabolizimin e këtyre substancave mund të jetë barrë.
Në këto situata, pak sheqer i thjeshtë siguron energji të shpejtë pa e ngarkuar organizmin.
2. Në rast kequshqyerjeje ose mungese energjie
Për personat që po rikuperohen nga dieta të kufizuara, çrregullime të të ngrënit apo lodhje kronike, glukoza nga sheqeri mund të ndihmojë në rikthimin e energjisë dhe stabilizimin e sheqerit në gjak.
3. Për njerëzit aktivë fizikisht
Një sasi e vogël sheqeri para ose gjatë stërvitjes mund të përmirësojë performancën dhe të përshpejtojë rikuperimin, pasi glukoza arrin shpejt në muskuj dhe tru.
4. Kur ka ndjeshmëri ndaj aditivëve
Disa persona ndiejnë fryrje, dhimbje koke ose parehati pas konsumimit të ëmbëlsuesve artificialë. Në këto raste, një majë sheqeri të zakonshëm në kafe mund të jetë më e përshtatshme dhe më e padëmshme.
5. Për ekuilibër psikologjik
Sipas Olajdzijas, shmangia ekstreme e sheqerit shpesh sjell stres, faj dhe episode të ngrënies së tepërt. Lejimi i sasive të vogla ndihmon në krijimin e një marrëdhënieje më të shëndetshme me ushqimin dhe me veten.
Ekuilibri është çelësi
“Sekreti i shëndetit qëndron te moderimi dhe shumëllojshmëria,” thekson dietologia.
Nëse pjesa tjetër e ushqyerjes është e balancuar – me mjaftueshëm proteina, perime, fruta, yndyrna të shëndetshme dhe drithëra të plota – disa gramë sheqer nuk prishin ekuilibrin.
Në fund, ajo shton:
“Vetëm ajo që është vërtet e dëmshme për shëndetin duhet të ndalohet. Çdo gjë tjetër, përfshirë pak sheqer herë pas here, është pjesë e një stili jetese të qëndrueshëm.”
© SYRI.net