Komisioni Evropian ka dhënë miratimin zyrtar për përdorimin e një trajtimi të ri kundër HIV-it, duke hapur rrugën që ai të shpërndahet në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian. Fjala është për lenacapavir-in, një injeksion që jepet vetëm dy herë në vit dhe që është cilësuar si një revolucion në luftën kundër epidemisë së HIV-it.
Ilaçi, i cili do të shitet me emrin tregtar Yeytuo, është forma e parë e profilaksisë para ekspozimit (PrEP) që nuk kërkon përdorimin e përditshëm të pilulave. Studimet klinike kanë treguar se ai ishte 100% efektiv në parandalimin e infektimit me virusin, si tek të rriturit ashtu edhe tek adoleshentët.
Miratimi vjen në një kohë kur Europa po përballet me rritje të ndjeshme të rasteve të reja. Vetëm në vitin 2023, në BE dhe vendet e tjera të zonës përreth u regjistruan mbi 24,700 diagnoza të reja, një rritje me gati 12% krahasuar me vitin 2022.
Dr. Dietmar Berger, drejtori kryesor mjekësor i kompanisë Gilead Sciences, tha se vendimi i shpejtë i Komisionit Evropian “thekson potencialin transformues të Yeytuo për të ndihmuar në parandalimin e HIV-it në të gjithë Evropën”.
Përveç BE-së, lenacapavir ka marrë miratim edhe nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe është rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Kompania ka nisur gjithashtu procesin për miratime në vende të tjera si Australia, Brazili, Kanadaja, Afrika e Jugut dhe Zvicra.
Një marrëveshje e arritur me organizatat ndërkombëtare parashikon që versionet gjenerike të ilaçit të shiten në 120 vende me të ardhura të ulëta, ku përhapja e HIV-it mbetet e lartë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se aksesueshmëria do të varet edhe nga fondet ndërkombëtare, të cilat kohët e fundit janë tkurrur.
Aktualisht, HIV prek rreth 40.8 milionë njerëz në mbarë botën, ndërsa vetëm vitin e kaluar 630,000 persona humbën jetën nga sëmundje të lidhura me AIDS-in.
© SYRI.net