Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës, qytetarët kërkojnë largimin e Veliajt

Koronavirusi/ Sa të frikësuar duhet të jemi?

Koronavirusi/ Sa të frikësuar duhet të jemi?

12:53, 25/05/2020
A+ Aa A-

Koronavirusi është përshkruar si një vrasës i padukshëm. Çfarë mund të jetë më terrorizuese se kjo?

Nga Nick Triggle, BBC

Një patogjen vdekjeprurës, të cilin nuk e pikasim, dhe kur godet, nuk mund ta kurojmë. Nuk është çudi që shumë njerëz kanë frikë të dalin jashtë, të rikthehen në normalitet apo të lënë fëmijët që të kthehen në shkolla.

Njerëzit duan të jenë të sigurt. Por problemi është se nuk jemi më të sigurt siç ishim dikur. Mbi të gjitha, ekziston një virus i ri që mund të ketë pasoja katastrofike.

Nevoja për të balancuar rreziqet

Atëherë çfarë duhet të bëjmë? Disa thonë se kufizimet duhet të vazhdojnë deri sa të garantohet siguria. Por këto argumente në përgjithësi e injorojnë faktin se nëse vazhdojnë kufizimet, kjo mbart rreziqe të tjera mbi vete.

Kryekëshilltari mjekësor në Britani, profesor Chris Witty, shpesh i përshkruan këto si kostot indirekte të pandemisë. Aty përfshihet gjithçka, që nga aksesi i dobët te shërbimi shëndetësor deri te vështirësitë financiare dhe dëmet ndaj arsimit.

Kështu, teksa kufizimet lehtësohen, shoqëria dhe individët duhet të marrin vendime bazuar te balancimi i rreziqeve.

Përse nuk mund të jeni 100 përqind të sigurt

Profesoresha Devi Sridhar, drejtuese e shëndetit publik global në Universitetin e Edinburgh, thotë se pyetja që duhet të shtrojmë është nëse jemi mjaftueshëm të sigurtë.

“Nuk do ketë kurrë mungesë rreziku. Në një botë ku Covid-19 mbetet i pranishëm në komunitet, qëllimi është që të reduktojmë rrezikun, siç bëjmë me rreziqet e tjera të përditshme, si drejtimi i makinës apo biçikletës”.

Ajo i referohet debatit nëse duhen hapur shkollat, por koncepti mund të aplikohet edhe për të tjera skenare.

Ajo thekson se një pjesë e këtij ekuacioni varet nga hapat e ndërmarrë nga qeveria për gjëra të tilla si distancimi social, ofrimi i pajisjeve mbrojtëse dhe gatishmëria për testim dhe gjurmim të kontakteve për të kufizuar shpërthimet lokale. Ajo ka kritikuar mënyrën se si qeveria i ka trajtuar këto të gjitha.

Cili është rreziku me të cilin përballen individët?

Por teksa më shumë liri po rikthehen, roli i individit në vendimmarrje do të dalë gjithmonë në pah.

Nuk bëhet fjalë për të gjetur opsionin e duhur, por për të gjetur opsionin më pak të keq.

Statisticieni Sir David Spiegelhalter, një ekspert i riskut nga Universiteti i Kembrixhit dhe këshilltar i qeverisë, thotë se në fakt kjo është bërë një lojë e menaxhimit të rrezikut- dhe për shkak të kësaj, ne duhet të kuptojmë shkallën e rrezikut me të cilin po përballemi.

Janë dy faktorë që ndikojnë te rreziku i koronavirusit- rreziku për t’u infektuar, dhe pasi infektohemi, rreziku se mund të sëmuremi rëndë apo mund të vdesim.

Të dhënat tregojnë se në Britani, 1 në 400 persona është i infektuar. Shanset që të jemi në kontakt të ngushtë me ta- sigurisht duke praktikuar distancimin social, janë të pakëta. Megjithatë disa njerëz janë më shumë në rrezik për shkak të profesionit.

Shpresa është që niveli i infeksionit të reduktohet akoma më shumë, nëse qeveria e mban të shtypur virusin përmes programit: testo dhe gjurmo.

Më pas, nëse infektohemi, fakt është se për shumicën e njerëzve, kjo është një sëmundje e butë deri e moderuar- vetëm një në 20 persona shfaq simptoma që mendohet se kanë nevojë për trajtim spitalor.

Si ta vlerësoni rrezikun

Ata me sëmundje të tjera janë më të rrezikuar. Vdekjet mes atyre poshtë 65 vjeç, pa sëmundje të tjera, janë jashtëzakonisht të rralla, tregojnë studimet.

Ndoshta mënyra më e lehtë është duke pyetur veten se sa i shqetësuar jeni se mund të vdisni brenda 12 muajsh.

Ajo që bie në sy te koronavirusi i ri është se, nëse jeni infektuar, shanset për të vdekur pasqyrojnë mundësinë për të ndërruar jetë edhe po të mos e kishit virusin brenda vitit të ardhshëm, sigurisht pasi e keni kaluar moshën 20 vjeç.

Për shembull, një person mesatar 40-vjeçar, ka një rrezik mesatar prej 1 në 1 mijë që të mos e festojë ditëlindjen e tij vitin që vjen. I njëjti person ka një shans thuajse identik që të mos mbijetojë nga infeksioni i koronavirusit.

Dhe ky është rreziku mesatar- për shumicën e individëve, rreziku është në fakt më i ulët se ata në rrezik më të madh për shkak të shëndetit të dobët.

Kështu që koronavirusi në fakt godet të dobëtit dhe forcon problematikat. Është sikur të paketosh një vit me rreziqe brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Nëse rreziku juaj për të vdekur është në radhë të parë shumë i ulët, ai mbetet sërish shumë i ulët.

Sa për fëmijët, rreziku për të vdekur nga gjëra të tjera- kanceri dhe aksidentet janë shkaku më i madh i vdekjeve- është më i madh se shansi që të vdesin nga koronavirusi.

Gjatë pandemisë, deri më tani kanë vdekur 3 fëmijë poshtë 15 vjeç. Kjo e krahasuar me rreth 50 të vrarë në aksidente rrugore çdo vit.

Identifikimi i atyre që janë në rrezik

Pra, ajo që duket vendimtare pasi të përpiqemi të balancojmë rreziqet, është identifikimi i atyre që janë në rrezik të konsiderueshëm nga sëmundja serioze e koronavirusit- qoftë nëse jemi pjesë e këtij grupi apo kemi kontakte të ngushta me dikë që është në këtë grup.

Aktualisht qeveria po u kërkon 2.5 milionë njerëzve që të izolohen plotësisht. Këtu përfshihen njerëzit që kanë kryer transplant organesh, që po trajtohen për kancer dhe ata me sëmundje të rënda të frymëmarrjes.

Në krye të tyre janë më shumë se 10 milionë njerëz që futen te grupet e rrezikut të lartë. Këtu përfshihen të gjithë ata mbi 70 vjeç dhe njerëzit me probleme shëndetësore duke nisur nga diabati deri te sëmundjet e zemrës.

Profesoresha Sarah Harper, një eksperte e plakjes në Universitetin e Oksfordit, argumenton se ‘arbitrariteti i moshës’ duhet shqyrtuar duke vlerësuar po ashtu nivelin e rrezikut brenda grupit më të rrezikuar, pasi ndryshimet janë shumë të mëdha.

Një mjet i zhvilluar nga ‘University College London’ tenton të përcaktojë disa nga dallimet te risqet.

Të mësosh më shumë rreth tyre do jetë thelbësore teksa ecim përpara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco