Bashkimi Evropian tha se i kundërshton aktivitetet destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe shtoi se marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të vazhdojnë si zakonisht, përderisa regjimi i Vladimir Putinit vazhdon agresionin ndaj Ukrainës.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet policisë së entitetit të Republikës Sërpska dhe Moskës, Komisioni Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se entitetet në Bosnje dhe Hercegovinë kanë të drejtë të zhvillojnë bashkëpunim ndërkombëtar në fushat për të cilat janë përgjegjëse, por se duhet t’i përmbahen plotësisht Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës dhe vendimeve të institucioneve shtetërore.
“Politika e jashtme në Bosnje dhe Hercegovinë është kompetencë ekskluzive e shtetit, ndërsa entitetet kanë detyrim kushtetues t’i ndihmojnë institucionet shtetërore në përmbushjen e obligimeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.
Ministri i Punëve të Brendshme i entitetit të Republikës Sërpska, Zhelko Budimir, nënshkroi më 23 qershor në Moskë një memorandum bashkëpunimi me Oleg Baranovin, shefin e Drejtorisë Kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Federatës Ruse për qytetin e Moskës, i cili është i sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
Me këtë, u vazhdua bashkëpunimi i vendosur më shumë se dhjetë vjet më parë, i cili parasheh shkëmbimin e informatave, trajnime profesionale, si dhe bashkëpunim në luftën kundër terrorizmit dhe formave të tjera të kriminalitetit.
Teksti i memorandumit të ri nuk është bërë publik.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Sërpska i thanë Radios Evropa e Lirë se ai “i konkretizon më tej format e bashkëpunimit në fushën e aftësimit profesional, shkëmbimit të përvojave dhe realizimit të trajnimeve të përbashkëta”.
Parlamenti Evropian miratoi më 17 qershor një rezolutë për Bosnje dhe Hercegovinën, në të cilën dënoi bashkëpunimin e autoriteteve të Republikës Sërpska me zyrtarë rusë që gjenden nën sanksione ndërkombëtare.
Në rezolutë u theksua se marrëdhëniet e tilla përbëjnë rrezik për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës.
Bosnje dhe Hercegovina u është bashkuar zyrtarisht sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, por zbatimi i tyre kundërshtohet nga politikanët e Republikës Sërpska, të udhëhequr nga Millorad Dodik, president i partisë në pushtet, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD)./REL/
© SYRI.net