Studentët e Juridikut nga universitetet shqiptare në RMV kanë bërë të ditur hapat e radhës lidhur me kërkesën për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Pas protestave në Shkup, ata paralajmëruan se do të vazhdojnë me tubime deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Gjithashtu, pritet që organizimi i debateve studentore të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit.
‘Takohemi me kolegët dhe studentët e qytetit të Kumanovës, të cilët edhe e mbështetën protestën tonë, njihemi me ata, ua dëgjojmë këshillat dhe në përgjithësi jemi në qëndrimin tonë të përbashkët. Bashkimi i studentëve shqiptarë është rëndësia jonë dhe që çdo kërkesë e radhës të jetë e njëzëshme. Qëllimi kryesor i debatit të sotëm ishte në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet dhe provimin e jurisprudencës’, deklaroi organizatori i protestave studentore, Mevlan Ademi.
‘Qëllimi i këtij takimi ishte që të bisedojmë rreth protestës që realizuam, ankesa, sugjerime apo vlerësime rreth saj, me qëllim që të vazhdohet në mënyrën e njëjtë, si dhe t’i informojmë në numër sa më të madh se për çka kemi dalë dhe çka është provimi i Jurisprudencës’, shtoi studentja në UNT, Arlinda Emini.
© SYRI.net