Një person ka humbur jetën dhe një grua është lënduar gjatë një zjarri të madh që shpërtheu sot pasmesdite në zonën e Dervenit, pranë Selanikut.
Flakët u përhapën me shpejtësi drejt pyllit dhe iu afruan fshatit Liti, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e banorëve.
Sipas Shërbimit Zjarrfikës , viktima është një burrë, trupi i të cilit u gjet në zonën pyjore, mes Dervenit dhe fshatit Liti. Ndërkohë, një grua, e cila sipas informacioneve po përpiqej të shuante zjarrin pranë banesës së saj, pësoi djegie në duar. Ajo u nxor nga zjarrfikësit dhe u transportua me ambulancë në spital.
Zjarri shpërtheu rreth orës 14:30 në një zonë me shkurre dhe, për shkak të erës dhe temperaturave të larta, u përhap shpejt në pyll.
Në operacion marrin pjesë mbi 11 zjarrfikës , tre ekipe speciale të zjarrfikësve pyjorë, 36 mjete zjarrfikëse, dhjetë avionë dhe tre helikopterë, të cilët kryejnë hedhje të vazhdueshme uji.
Për shkak të rrezikut, sistemi i emergjencës 112 dërgoi dy mesazhe paralajmëruese. Në mesazhin e dytë, banorëve të fshatit Liti iu kërkua të largohen menjëherë drejt stadiumit të fshatit dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
Forca të policisë dhe të shërbimit të urgjencës ndodhen në terren, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë përpjekjet për të vënë flakët nën kontroll dhe për të mbrojtur zonat e banuara.
Mbi qiellin e Selanikut shihen çdo dhjetë minuta avionët canader që shkojnë drejt detit mbushen me ujë dhe me pas drejtohen drejt zonës ku zjarri është ende I pakontrolluar.
© SYRI.net