Spitalet publike në Greqi përballuan gjatë vitit 2025 rreth 12.5 milionë vizita, një shifër që tregon mbingarkesën e thellë të Sistemit Kombëtar Shëndetësor.
Sipas të dhënave, 5.19 milionë qytetarë iu drejtuan urgjencave, me rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa 6.7 milionë vizita u kryen në klinikat e rregullta ambulatore. Vizitat me pagesë në klinikat e pasdites pësuan rënie, çka lidhet me faktin se një pjesë e mjekëve të sistemit publik tashmë ushtrojnë edhe praktikë private.
Spitali Universitar i Larisës rezulton i pari në të gjithë vendin për nga fluksi, me mbi 320 mijë vizita në vit, 42% më shumë se në vitin 2022.
Edhe spitalet e mëdha në Atikë, si Nikaias dhe “G. Gennimatas”, raportojnë mbi 100 mijë raste urgjence secili, duke reflektuar presion të vazhdueshëm mbi strukturat shëndetësore.
Spitalet onkologjike, pediatrike dhe ato të specializuara shënuan gjithashtu rritje të lartë të kërkesës, me qindra mijëra vizita gjatë vitit.
Shifrat konfirmojnë varësinë masive të qytetarëve nga sistemi publik, por njëkohësisht ngrenë pikëpyetje mbi kapacitetet, menaxhimin dhe kushtet e ofrimit të shërbimit shëndetësor në vend.
© SYRI.net