Pritën Albin Kurtin, kallëzohen penalisht kryetarët e Tetovës dhe Çairit

Pritën Albin Kurtin, kallëzohen penalisht kryetarët e Tetovës dhe Çairit

19:16, 15/08/2023
A+ Aa A-

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka ngritur të martën kallëzime penale kundër kryetarëve të Tetovës dhe Çairit, për, siç ka thënë, ‘shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore’, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami dhe ai i Çairit, Visar Ganiu, janë marrë në pyetje të martën nga Policia maqedonase, e cila e ka bërë të ditur vendimin për kallëzimet penale.

 ‘Gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar më 11.08.2023, në rrugën ‘Ferid Murati’ në Shkup dhe në sheshin e qytetit në Tetovë, nuk është vepruar në përputhje me Ligjin për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë manifestimeve të organizuara me atë rast nuk është kënduar himni shtetëror dhe nuk është vendosur flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka është bërë shkelje nga neni 30 i të njëjtit ligj’, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.

Në komunikatën me shkrim është thënë se ‘Policia do t’i vazhdojë kërkimet për personin që në një nga manifestimet valëviti flamurin e të ashtuquajturës ‘Shqipëria e Madhe’’.

Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore, neni 30, parasheh dënime prej 1.000 deri në 5.000 euro në rast se personi publik bën shkeljen e dispozitave, respektivisht nëse nuk përdor këto simbole në manifestimet e përcaktuara me dispozitat tjera ligjore.

Marrja në pyetje është konfirmuar edhe nga kryetarët e dy komunave, të cilët veprimin e autoriteteve e kanë quajtur ‘komunist’ me qëllim ‘frikësimi’.

 ‘Komunizmi këtu nuk ka vdekur, ai është gjallë dhe po e mbajnë gjallë qeveritarët tanë bashkë me Ali Ahmetin e [Arben] Taravarin. Tentimet e këtilla për frikësim dhe heshtje si në kohën e komunizmit, nuk na trembin aspak, bile kokën lartë po vazhdojmë. Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta. Koha e frikësimit të shqiptarëve, arrestimeve të tyre dhe marrjes së tyre nëpër stacione famëkeqe policore ka vdekur’, ka thënë kryetari i Tetovës, Bilall Kasami përmes një postimi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në këto dy komuna të banuara me popullatë shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami.

Kasami: Koha e frikësimit të shqiptarëve dhe arrestimi i tyre ka përfunduar

Kurti ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit, Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë ka marrë pjesë në përurimin e një rruge në Malësinë e Tetovës.

Gjatë kësaj vizite Kurti dhe kreu i Tetovës kanë folur për nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometrash, që do ta lidhte Tetovën me Prizrenin.

Qëndrimi i kryeministrit Kurti në Tetovë dhe Çair, respektivisht përdorimi i ikonografisë shqiptare gjatë manifestimeve të organizuara, ka shkaktuar reagime të shumta, përfshirë edhe nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite./REL/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco