Erdogan është oportunist, por nuk ka për t’u kthyer drejt Perëndimit

Erdogan është oportunist, por nuk ka për t’u kthyer drejt Perëndimit

16:30, 14/08/2023
A+ Aa A-

Votuesit turq rizgjodhën në maj Rexhep Tajip Erdoganin për një mandat të tretë 5-vjeçar si president. Në javët që pasuan, disa analistë nisën të pyesin nëse ky është momenti kur Erdogan do të nisë ta zhvendosë politikën e jashtme turke sërish drejt orientimit të saj tradicional perëndimor.

Që nga përpjekja për një grusht shteti në vitin 2016, e cila kërcënoi ta largonte me forcë Erdoganin nga pushteti, lideri veteran i Turqisë ka zhdukur gradualisht të gjitha kredencialet e vendit si një anëtare e fortë e aleancës perëndimore. Dhe kjo sepse Erdogani e akuzoi Perëndimin për mbështetjen e grushtit të shtetit.

Historia e qasjes së tij anti-perëndimore është e vjetër, por ajo ka qenë veçanërisht e dukshme gjatë procesit të zgjerimit të NATO-s për të pranuar Suedinë dhe Finlandën. Turqia e shpenzoi vitin e fundit duke krijuar enkas pengesa për të parandaluar anëtarësimin e 2 vendeve skandinave.

Ndërsa pas disa muajsh e ratifikoi kërkesën e Finlandës, Suedia është lënë ende në pritje.

Shumë zyrtarë në NATO, por edhe në qeverinë amerikane, e vënë në dyshim përkushtimin e Erdoganit ndaj Perëndimit. Disa prej tyre mendojnë se qëndrimi i Erdogan ishte i diktuar nga situata.

Loja e tij lidhej me përpjekjet për t’u rizgjedhur si president, dhe sapo të ndodhte kjo, pengesat do të hiqeshin. Por kjo perspektivë është e gabuar. Narrativa fillestare ishte pak a shumë i tillë:në prag të zgjedhjeve, Erdogan duhej t’i jepte votuesve turq një arsye pse duhej ta rizgjidhnin atë.

Ekonomia turke ishte e rrënuar nga inflacioni i lartë dhe një monedhë kombëtare e zhvlerësuar. Këtyre problemeve kronike, iu bashkua një seri tërmetesh shkatërruese në fillim të vitit 2023. E gjithë fama e Erdogan bazohet tek një rritje e fortë ekonomike. Në mungesë të saj, ai e përdori politikën e jashtme për të siguruar mbështetjen e publikut.

Një qëndrim i ashpër në Mesdheun Lindor, solli një retorikë edhe më të ashpër rreth pushtimit të ishujve grekë dhe rikthimit të tyre më forcë tek Turqia. Kërcënimi për aneksimin e Qipros Veriore, u forcua më tej nga qëndrimi i tij kundërshtues ndaj zgjerimit të NATO-s.

Ç’është më e keqja, Ankaraja ka refuzuar të marrë pjesë në sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë, teksa ka shumë prova se Ankaraja përfiton jo pak nga lufta në Ukrainë. Nga ana tjetër, Erdogan ka vazhduar të dëmtojë sundimin e ligjit në vend.

Turqia nuk i zbaton vendimet detyruese të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila ka udhëzuar lirimin e të burgosurve politikë, siç është edhe filantropisti dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Osman Kavala, ndër shumë raste të tjera. Ju mund të pyesni se çfarë lidhje ka kjo me fitimin e mbështetjes së publikut.

Shpjegimi është i thjeshtë:Publiku turk e admiron qëndrimin agresiv të Erdoganit në skenën botërore. Sa më shumë që Erdogan sulmon verbalisht Perëndimin, kërcënon fqinjët e tij dhe ndjek atë që ai e quajti një politikë të jashtme të pavarur, aq më krenarë ndihen votuesit turq.

Kjo sjellje reflekton neverinë ndaj dekadave të lidhjeve të ngushta me Perëndimin, për të cilat shumë turq besojnë se e kanë minuar prestigjin e Turqisë dhe vendin e saj të merituar në skenën globale si një fuqi e konsiderueshme.

Bllokimi i pranimit të Turqisë në Bashkimin Evropian, ka shkaktuar zemërim në mbarë shoqërinë turke. Tani që Erdogani ka fituar një mandat të ri, a mos duhet të supozojmë se ai do të braktisë përdorimin agresiv të politikës së jashtme, si një mjet për të forcuar mbështetjen e nacionalistëve?

Unë nuk do të vija bast për këtë. Është e vërtetë që për momentin Erdogan e ka braktisur qëndrimin e tij agresiv ndaj Greqisë. Ai nuk po artikulon më kërcënimet për të rimarrë me forcë ishujt grekë, dhe nuk ka për momentin shkelje të hapësirës ajrore greke në Egje. Përkundrazi, kemi parë rivendosjen e masave dypalëshe të ndërtimit të besimit midis qeverive greke dhe turke, si dhe një raund të ri diplomacie që synon gjetjen e një zgjidhjeje të negociuar mbi çështjen e Qipros. Në samitin e NATO-s në Vilnius, Erdogan tha se Turqia do të pranojë brenda vjeshtës anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Pas një dekade marrëdhëniesh të acaruara me partnerët kryesorë perëndimorë, Erdogani ka bërë disa lëvizje për të rindërtuar marrëdhëniet e tij me Izraelin, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Dhe kjo sugjeron se Erdogan mund ta ketë braktisur qasjen e toksike, atë të “pavarësisë në politikën e jashtme”.

Por kjo kthesë nuk po besohet nga shumë njerëz. Sepse udhëheqësit janë mësuar me kthesat e mprehta të Erdoganit. Fakti është që Erdogan i ka ulur tensionet me Greqinë dhe Qipron, kryesisht për shkak të ndikimit që kanë lobet e tyre në Uashington.

Ligjvënësit kryesorë në Kongres - si senatori Bob Menendez, që drejton Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit - janë dashamirës ndaj qëndrimit helen, që e sheh Erdoganin si një kërcënim. Menendez dhe komiteti që drejton, po pengojnë shitjen tek Turqia të avionëve të rinj luftarakë F-16.

Që të realizohet kjo blerje, Turqia duhet të plotësojë kërkesat e Kongresit dhe të mos kërcënojë më Qipron dhe Greqinë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përpjekjet e tij për të rindërtuar imazhin e tij në rajonin e Turqisë.

Erdogan ka të ngjarë të takohet me kryeministrin izraelit Netanjahu, dhe ka shtrënguar tashmë duart me udhëheqësin egjiptian, Abdel Fatah El-Sisi, të cilin dikur e quajti si një tiran. Po ashtu, ai ka ndërmarrë një tur vizitash në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite, ku siguroi investime të konsiderueshme si dhe marrëveshje tregtare me leverdi.

Për momentin Erdogan po sillet në këtë mënyrë, sepse nëse nuk i rregullon lidhjet me fuqitë e përmendura, Ankaraja do të izolohet. Se sa larg do të shkojë shtrëngimi i duarve të Erdogan me liderët rajonalë për të rindërtuar lidhje të ngushta, kjo mbetet të shihet.

Megjithatë një gjë është e qartë, dhe është shpjeguar shumë mirë nga kolegu im Steven Cook, i cili kohët e fundit shkroi se synimi i Erdoganit është “ndjekja e 3 ideve bazë të politikës së jashtme:pavarësia strategjike, fuqia dhe zhvillimi ekonomik i Turqisë”.

Unë do të shtoja se këto 3 ide madhore, nënkuptojnë gjëra të ndryshme për Erdoganin dhe homologët e tij. Në rast se Ankaraja do të arrijë të marrë nga Uashingtoni avionët F-16, nuk ka asnjë garanci se nuk do të përfshihet në sjellje antagoniste ndaj fqinjëve të saj helenikë.

Brenda NATO-s, le të supozojmë sikur parlamenti turk e ratifikon anëtarësimin e Suedisë. A mund të jemi të sigurt, se në një moment dhe në të ardhmen e afërt, Erdogan nuk do ta bllokojë sërish veprimtarinë normale të NATO-s, ndoshta duke kërkuar ta kushtëzojë me një blerje tjetër armatimesh dhe pajisjesh nga Uashingtoni?

Në rast se Ankaraja mund të sigurojë flukse të mëdha investimesh nga vendet e Gjiri Persik, sa të sigurt mund të jemi ne se Erdogan do të vazhdojë të rindërtojë një dialog politik thelbësor me Izraelin? Ne duhet ta braktisim konceptin se Turqia e Erdoganit do të ankorohet përfundimisht me Perëndimin.

Udhëheqës si Erdogan - dhe ndoshta Viktor Orban i Hungarisë - e kanë kuptuar se angazhimi i madh ndaj çdo kauze apo aleance jep përfitime të vogla. Ajo që ofron më shumë përfitime është shfrytëzimi i pozicionit brenda entiteteve si NATO ose Bashkimi Evropian.

Tani për tani, Erdoganit i leverdis të shfaqet si një lojtar skuadre. Turqia do të mbajë zgjedhjet e saj lokale në majin e vitit 2024, dhe ka prova të forta se një ekonomi e fortë nuk mund të përdoret dot si një kartë fituese. Maksimumi deri në fund të këtij viti, unë pres të shoh se cilin vend do të nisë të demonizojë Erdogani, teksa do t’i rikthehet zyrtarisht politikës së tij të jashtme “të pavarur”.

Shënim:Sinan Ciddi, anëtar i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), ku ai kontribuon në Programin e Turqisë./ Pershtatur nga CNA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco