Abazoviç mbron Ballkanin e Hapur/ Ambasadori gjerman: Nismë jotransparente

Abazoviç mbron Ballkanin e Hapur/ Ambasadori gjerman: Nismë jotransparente

12:51, 30/11/2022
A+ Aa A-

Mali i Zi është duke njohur ditë të trazuara politike. Situata është ndezur edhe për shkak të nismës së Ballkanit të Hapur. Qytetarët u hodhën në protesta, duke thënë se nisma u kujton Jugosllavinë. Kurse ekspertët thonë se ajo nismë nuk i shërben vendit.

Lidija Rmush nga Dhoma e Tregtisë tha se duhet analizuar nëse kjo nismë është e nevojshme pasi Mali i Zi është një vend i orientuar nga importi. Sipas saj, kjo nismë mund të dëmtojë bujqësinë në vend.

Megjithatë, kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç vazhdon ta mbrojë këtë nismë të udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama. Në një intervistë për median boshnjake, ai tha se Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit janë dy nisma që nuk pengojnë njëra-tjetrën.

“Unë personalisht mbështes çdo lloj bashkëpunimi rajonal, gjithçka që kontribuon në një bashkëpunim më të madh rajonal, ne jemi së bashku dhe nuk jemi në armiqësi,” tha ai, duke shtuar se Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit ofrojnë një konkurrencë të ndershme.

Por nuk mendon kështu ambasadori gjerman në vendin e tij, Peter Felten. Në një intervistë për mediat e Malit të Zi, ai tha se nuk di shumë për Ballkanin e Hapur.

“Ne nuk jemi të përfshirë, nuk është një nismë transparente dhe nuk e dinë se cilat janë rezultatet konkrete të kësaj iniciative,” tha ai.

Nga ana tjetër, ai theksoi se Procesi i Berlinit po prodhon rezultate.

Felten tha se Mali i Zi duhet të bëjë një analizë konkrete për Ballkanin e Hapur, bazuar te faktet dhe te një përllogaritje racionale e kostove dhe përfitimeve dhe më pas të vendosin se si duhet t’i qasen kësaj iniciative.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco