Lajçak kërkon nga Vuçiç zgjidhje urgjente për energjinë dhe targat

Lajçak kërkon nga Vuçiç zgjidhje urgjente për energjinë dhe targat

18:21, 17/10/2022
A+ Aa A-

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Siç bën të ditur përmes një shkrimi në Twitter, gjatë takimit është diskutuar mbi çështjen e energjisë dhe targave.

‘Në Beograd sot vazhdova diskutimin tim të hapur dhe serioz me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve’.

‘Energjia dhe targat ishin temat kryesore në agjendën tonë pasi nevojiten urgjentisht zgjidhje. Kam ndjekur gjithashtu çështjet aktuale me Petar Petkoviç’, ka shkruar diplomati sllovak.

Ndërkaq Vuçiç ka përsëritur se Serbia insiston në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

‘Një bisedë serioze dhe e përgjegjshme me Mirosllav Lajçak mbi çështjet e hapura në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Ne do të vazhdojmë të luftojmë që ta ruajmë shtetin dhe popullin tonë, duke insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe në respektimin e ligjit ndërkombëtar’, ka deklaruar Vuçiç.

Ndryshe, nga 1 shtatori deri më 5 tetor, tetë makina që kanë pasur targa të lëshuara nga autoritetet serbe, janë riregjistruar në targa RKS (Republika e Kosovës).

‘Regjistrimet janë bërë në tetë komuna të ndryshme, prandaj nuk mund ta theksojmë ndonjë komunë me interesim më të madh. Gjithashtu, tani e tutje të gjithë qytetarët mund të regjistrojnë automjetet e tyre me targa të rajonit që i përkasin, në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve, pavarësisht nga vendbanimi i tyre në Republikën e Kosovës’, thanë nga MPB-ja.

Qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, me akronime të qyteteve të Kosovës sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme, mund t’i regjistrojnë ato në targa RKS deri në fund të tetorit.

Vlerësohet se rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës ka thënë se me riregjistrimin në RKS, qytetarët serbë do të mund të qarkullojnë me veturat e tyre në mbarë territorin e Kosovës.

Por, pas 31 tetorit, autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar se qytetarët me makina me targa të lëshuara nga Serbia, nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës e as ta kalojnë kufirin.

Procesi i riregjistrimit të makinave fillimisht ishte paraparë të niste në gusht, së bashku me vendimin për lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Por, këto dy masa u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët ngritën barrikada në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.

Pas ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të hiqnin dorë nga lëshimi për dokumentit për hyrje-dalje, por nuk u arrit ndonjë ujdi për targat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco