Dështon votimi i ligjit për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Dështon votimi i ligjit për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut

12:11, 19/01/2021
A+ Aa A-

Në mungesë të 61 deputetëve në sallë, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dështoi që të mbajë seancën e 30-të. Në rend dite ishte ligji për barnat dhe interpelanca e Zv.kryeministrit Dimitrov, por krahas kësaj dështoi edhe votimi i Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë.

Kjo sepse ishte parashikuar që nëse do të ishin numrat e mjaftueshëm për shumicë të thjeshtë prej 61 deputetësh, Kryetari të kërkonte të hapet seanca e 29-të, ku e vetmja gjë që ka mbetur është votimi i Ligjit për Regjistrim. Por 61 deputetë nuk ishin në sallë. Nga numërimi u konstatua se të pranishëm janë vetëm 59, njofton TV21.

Kryeparlamentari tregoi se 7 deputetë e kanë informuar se nuk mund të marrin pjesë në seancë. 1 deputet i shumicës është pozitiv me korona, ndërsa një tjetër po pret rezultat të testit.

“Opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE, e kur them VMRO-DPMNE, flas edhe për Aleancën dhe Alternativën dhe “Të Majtën” sepse siç bën VMRO-DPMNE-ja, ashtu bëjnë edhe ato. Nuk marrin pjesë që të mos mundemi të fillojmë me punë”, tha Jovan Mitreski – deputet i LSDM-së.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski tregoi se opozita është brenda Kuvendit, por nuk janë të pranishëm në sallë si formë revolte se pse 2 propozime për ligje janë me flamurin evropian, ndërsa sipas tij, nuk kanë lidhje me të.

“Me 62 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë, në tempullin e demokracisë, silleni sikur të keni 100 deputetë, ndërsa gjendja nuk u është kështu edhe me numrin e deputetëve në Kuvend”, theksoi Nikolla Micevski – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i Kuvendit pas disa thirrjesh, konstatoi se nuk përmbushet kushti për të vazhduar më tej.

Por para se Xhaferi të sjellë këtë konstatim, jashtë Kuvendit, koordinatori i grupit parlamentar të opozitës shqiptare, Skender Rexhepi, pohoi për TV21 se po Kryetari i Kuvendit u ka thënë se nuk janë numrat e mjaftueshëm për seancë, andaj edhe opozitarët e ASH-AAA u larguan.

“Nga ora 10.30 ne si grup parlamentar ishim në zyrat e koordinimit dhe pritëm që të fillojë mbledhja, që së paku ligji për regjistrim të kalojë. Tash para pak kohësh marrim vesh nga kryetari i Kuvendit se nuk ka numra dhe me ne nuk bëhen numrat e mjaftueshëm për të votuar kështu që mbledhja do të shtyhet për ditë të radhës”, deklaroi Skender Rexhepi – deputet i AAA-ASH.

Më vonë këtë e konfirmon edhe deputeti tjetër i opozitës shqiptare, Syrja Rashidi. TV21: Kur ishte momenti kur vendosët për të shkuar? A kishte një komunikim paraprak? “Atëherë kur na u konfirmua nga vetë kryetari I parlamentit se nuk arrin dot të bëjë shumicën, andaj dhe ne nuk kemi nevojë të presim”, u shpreh Syrja Rashidi – deputet i ASH-AAA.

Opozita shqiptare hapur ka deklaruar se do ta mbështesë ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, ndonëse kanë kritikat e tyre, të cilat do t’i thonë edhe në seancën e votimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco