Konferenca e Sigurisë në Munih/ Ambasadori Grenell takon presidentin serb

Konferenca e Sigurisë në Munih/ Ambasadori Grenell takon presidentin serb

20:08, 13/02/2020
A+ Aa A-

Ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, takoi në orët e mbrëmjes në Munih presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe më vonë do të takojë edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas takimit, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha se “biseda ishte e sinqertë por nuk ka bisedime të lehta për ne”. Ai tha se “është shumë e rëndësishme që amerikanët fuqishëm ngulin këmbë për heqjen e tarifave, menjëherë, që të vazhdojnë bisedimet ndërmjet nesh dhe Prishtinës”.

Presidenti serb tha se nesër në Munih do të nënshkruhet “marrëveshja kornizë për linjën hekurudhore ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Më 27 janar, ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë, zhvilluan një takim në Berlin për të rihapur linjën hekurudhore ndërmjet tyre, me ndërmjetësimin ambasadorit Grenell, vetëm pak ditë pasi që palët nënshkruan një marrëveshje për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.

Ambasadori Grenell, ngulë këmbë se përmirësimi i lidhjeve ekonomike midis dy vendeve dhe hapja e vendeve të punës, do të ndihmojë tërë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, kur qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë heqjen e tarifave një kërkesë kjo që u ritheksua të enjten nge sekretari i Shtetit Mike Pompeo në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e re është zotuar ta bëj një gjë të tillë, por duke kushtëzuar heqjen e tarifave me vendosjen e masave të reciprocitetit të plotë më Serbinë.

Ambasadori Grenell ka kërkuar ndërkaq nga Beogradi që të heqë dorë nga fushata për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Të hënën mbushen 12 vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco