Kammenos propozon marrëveshje për mbrojtjen me Maqedoninë, në vend të ndryshimit të emrit

Kammenos propozon marrëveshje për mbrojtjen me Maqedoninë, në vend të ndryshimit të emrit

17:38, 10/10/2018
A+ Aa A-

Ministri grek i Mbrojtjes ka propozuar nënshkrimin e marrëveshjeve me vendet fqinje, që do të shërbejë si barrierë ndaj rrezikut rus.

Sipas ministrit Panos Kammenos, kjo marrëveshje do të garantonte stabilitetin e Maqedonisë, duke e shtyrë për më vonë zgjidhjen e çështjes së emrit.

Kammenos, që po zhvillon një vizitë zyrtare në Uashngton, ia ka prezantuar propozimin e tij nënsekretarit për çështjet europiane Wes Mitchell.

Propozimi parashikon nënshkrimin e marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes midis Greqisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe në një kohë tjetër Serbisë, me qëllim krijimin e një aksi stabiliteti në rajon. Kammenos thotë se në këtë mënyrë do të “zbrapset penetrimi rus në Ballkan dhe “do të garantohet stabiliteti” i Maqedonisë, duke e shtyrë për të ardhmen zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin midis Athinës dhe Shkupit.

Kammenos la të kuptohet se e ka diskutuar këtë temë edhe me sekretarin amerikan të mbrojtjes, James Mattis.

Sipas tij, Shtetet e bashkuara i kanë ngarkuar Greqisë “rolin e qendrës së aksit të stabilitetit”  në një shtrirje të gjerë që fillon nga Ballkani e shkon deri në Lindjen e Mesme.

“Konsideroj se në kuadër të kësaj politike hapi tjetër do të jetë nënshkrimi i marrëveshjeve të përbashkëta ndërshtetërore në fushën e mbrojtjes, që do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve, por edhe më thelbësisht në ndërtimin e politikës së re energjetike në rajon”, deklaroi Kammenos pas daljes nga takimi me sekretarin amerikan të mbrojtjes.

Ndaj propozimit të Kammenos, nga zyra e kryeministrit Tsipras kanë reaguar nëpërmjet një komenti të agjencisë zyrtare të lajmeve ANA-MPA.

“Qeveria greke ,mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Prespës. Respekton procedurat kushtetuese në vendin fqinj dhe mbështet përpjekjet e kryeministrit Zaev për të përmbushur kushtet që marrëveshja të hyjë në fuqi”, thuhet në komentin lakonik.

Ndërsa ministri alternat i punëve të jashtme, Jorgos Katrugalos ishte më konkret:

“Deri tani propozimet e zotit Kammenos nuk janë shtruar në këshillin e ministrave. Por në asnjë rast (propozimet) nuk përbëjnë një plan alternativ për marrëveshjen e Prespës”, deklaroi të mërkurën në mesditë numri dy i diplomacisë greke.

Panos Kammenos dhe partia e tij Grekët e Pavarur qeverisin bashkë me kryeministrin Tsipras që nga janari 2015. Por Kammenos kundërshton me zjarr marrëveshjen e Prespës, duke paralajmëruar se do të largohet nga qeveria nëse marrëveshja vjen për votim në parlamentin grek.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco