Nga ‘fajin e ka Theçer dhe Regan’ te ‘fajin e ka Saliu’/ Strategjia humbëse e të majtës

Nga ‘fajin e ka Theçer dhe Regan’ te ‘fajin e ka Saliu’/ Strategjia humbëse e të majtës

11:19, 22/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kur Andy Burnham po bëhej gati për të marrë postin e kryeministrit të Britanisë së Madhe, mediat e djathta publikuan pasazhe nga fjalimi i tij.

Me nota pesimiste, këto media theksuan se Burnham do i kthehej frazës së vjetër ‘fajin e ka Theçer’, një referencë për ish-kryeministren e hekurt që ndryshoi rrënjësisht Britaninë e Madhe.

Por Theçer nuk është e vetmja që fajësohet nga e majta sa herë që dështon në mënyrë spektakolare në qeverisje. Nga Regan tek Berluskoni, shprehja ‘fajin e kanë të tjerët’ është e njohur në historinë e politikës botërore.

Ndaj nuk është rastësi që kjo shprehje përdoret edhe nga e majta shqiptare. ‘Fajin e ka Saliu’ është një shprehje që u dëgjua sërish një ditë më parë nga Taulant Balla.

Të komentosh Ballën është jo vetëm humbje kohe, por edhe fyerje për inteligjencën, por shprehja ‘fajin e ka Saliu’ i meriton disa radhë.

E para, sepse trashëgimia matet me rezultate pozitive dhe ato janë të shumta duke nisur me anëtarësimin në NATO; heqjen e vizave; politikat pro-perëndimore; liberalizimin ekonomik; zhvillimin e sektorit privat; fuqizimin e ekonomisë; ndërtimin e infrastrukturës; mbrojtjen e shtresave në nevojë, etj.

E dyta, sepse reformat e vështira sigurisht do sjellin edhe kritika, si në rastin e Theçerizmit apo Reganomiksit. Reformat e mëdha nuk mund të gjykohen vetëm nga dhimbjet afatshkurtra, por edhe nga drejtimi ku e çojnë vendin.

E treta, sepse këto reforma tregojnë se ka një vizion për të tashmen dhe të ardhmen e një vendi. Qeverisja e të majtës ka treguar se vizioni i tyre është narko-ekonomia dhe korrupsioni galopant. Jo vetëm Balla, por edhe socialisti më racional nuk mund të gjejë qoftë edhe një reformë të vetme të rëndësishme gjatë qeverisjes së këtyre viteve.

E katërta, sepse e majta e bazon qeverisjen e saj tek manipulimi dhe propaganda. Në rastin konkret, Taulant Balla mashtron hapur për çështjen e aeroportit të Vlorës kur është thënë me qindra herë se qeveria e PD kishte në plan të ndërtonte një aeroport në zonën e Levanit, ku jo vetëm nuk do dëmtonte mjedisin, por do i shërbente një popullate shumë më të madhe nga qendra e vendit deri thellë në jug.

E pesta, sepse strategjia e të majtës për ‘zhvendosjen e fajit’ ka rezultuar humbëse gjithmonë. Si për koincidencë me shpifjet e Ballës, në kohën e qeverisjes së PD, britanikët hartuan një projekt të detajuar që nuk do lejonte batërdinë që po ndodh tani në brigjet e Shqipërisë. Edi Rama e hodhi poshtë këtë projekt sapo erdhi në pushtet dhe zonat më të bukura të Shqipërisë iu dhanë krimit për të bërë kërdinë.

Në Shqipëri po protestohet për më shumë se dy muaj kundër Edi Ramës dhe ky është treguesi më i mirë se strategji e fajësimit të të tjerëve ka rezultuar humbëse.

"Socialistët thërrasin 'pushteti popullit', duke ngritur grushtin, por harrojnë se pushteti është tashmë në duart e njerëzve", thoshte Theçer dikur.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco