Televizioni publik gjerman: Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të ndershme

Televizioni publik gjerman: Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të ndershme

10:08, 13/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prej javësh në Shqipëri po zhvillohen protesta kundër ndërtimit të planifikuar të një resorti luksoz të lidhur me familjen Trump. Protestuesit po luftojnë për mbrojtjen e flamingove, por jo vetëm.

ZDF HEUTE

"Revolucioni i Flamingove" quhet lëvizja protestuese në Shqipëri, e cila lindi si reagim ndaj planit për ndërtimin e një resorti luksoz në peizazhin e mbrojtur natyror të Vjosë–Nartës. Pikërisht aty, në zemër të natyrës së paprekur, synohet të ndërtohet një projekt turistik me vlerë miliarda eurosh, që do të përfshijë hotele luksoze, marina për jahte dhe vila pushimi.

Si investitori kryesor përmendet Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Qeveria shqiptare e konsideron projektin një investim strategjik dhe thekson se ai do të krijojë vende të reja pune dhe do të sjellë zhvillim ekonomik.

Megjithatë, mijëra shqiptarë janë kundër këtij projekti. Ata protestojnë kundër ndërtimit të resortit luksoz dhe akuzojnë qeverinë shqiptare se po e "shet vendin" dhe po rrezikon natyrën dhe speciet e rralla.

Ndërkohë konflikti ka shkuar shumë përtej mbrojtjes së lagunës. Ai ka nxitur një debat më të gjerë mbi mbrojtjen e natyrës, të drejtat mbi tokën dhe marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit.

Një rajon me vlera të jashtëzakonshme ekologjike në rrezik?

Zona e mbrojtur e Vjosë–Nartës është pjesë e sistemit bregdetar dhe deltës së lumit Vjosë dhe konsiderohet një nga sistemet deltore më të paprekura që kanë mbetur në rajonin e Mesdheut. Kjo evidentohet edhe në një studim mbi gjendjen e deltave mesdhetare, të porositur nga organizatat mjedisore EuroNatur dhe Riverwatch.

Laguna e Vjosë–Nartës, e cila është në qendër të planeve të familjes Trump, konsiderohet një nga rajonet ekologjikisht më të vlefshme në Evropë. Ajo ofron habitat për më shumë se 200 lloje shpendësh dhe mbi 70 specie të rrezikuara.

"Mes tyre janë edhe breshkat detare, të cilat gëzojnë mbrojtje të rreptë," shpjegon Annette Spangenberg nga EuroNatur.

Strehë për specie të rralla

Përveç kësaj, Laguna e Vjosë–Nartës është një pikë kyçe përgjatë korridorit migrator të Adriatikut. Ajo shërben si vend pushimi për shpendët shtegtarë, flamingot dhe specie të rralla e të kërcënuara, si pelikani kaçurrel.

Zona përfshin laguna, kripore, duna ranore dhe grykëderdhje lumenjsh, çka e bën të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por për mbrojtjen e biodiversitetit në mbarë Evropën.

Kjo merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, thekson Annette Spangenberg nga EuroNatur.

Nuk bëhet fjalë vetëm për flamingot

Ndërkohë, për protestuesit në Shqipëri çështja nuk kufizohet më vetëm te flamingot.

Ata denoncojnë korrupsionin në vend, kërkojnë reforma, zgjedhje të ndershme dhe dorëheqjen e qeverisë aktuale.

Një nga shkaqet kryesore të protestave është ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura në vitin 2024, i cili, sipas organizatave mjedisore, e bën më të lehtë realizimin e investimeve brenda zonave të mbrojtura dhe dobëson mekanizmat ekzistues të mbrojtjes.

"Këto ndryshime janë kritikuar nga organizatat mjedisore, komuniteti shkencor dhe institucionet evropiane," thotë Annette Spangenberg.

Sipas saj, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin se këto ndryshime nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e natyrës dhe, në kuadër të detyrimeve të Shqipërisë sipas Kapitullit 27 të negociatave të anëtarësimit, kanë kërkuar shfuqizimin e tyre.

Shqipëria: vend i zonave të mbrojtura

Në Shqipëri ka 25 zona të mbrojtura, ndërsa rreth 23 për qind e territorit të vendit gëzon status mbrojtjeje. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, kjo e rendit Shqipërinë ndër vendet evropiane me një përqindje relativisht të lartë të sipërfaqeve natyrore të mbrojtura.

"Një investim dhe zhvillim ekonomik i qëndrueshëm kërkon që të merren parasysh njerëzit dhe komunitetet e prekura. Duhet të shqyrtohen alternativa të zbatueshme. Mbrojtja e natyrës dhe e rajonit duhet të konsiderohet pjesë e një vizioni strategjik dhe afatgjatë," thekson Annette Spangenberg.

"Në rastin e zhvillimeve të planifikuara në zonën e Vjosë–Nartës, ne nuk kemi parë që kjo të ketë ndodhur."

Ajo shton: "Planet që po diskutohen dhe ajo që po shohim aktualisht janë vetëm një paralajmërim i parë për atë që mund të vijë më pas dhe nuk mund të konsiderohen zhvillim ekonomik i qëndrueshëm."

Pse një zonë e mbrojtur zgjon kaq shumë emocione te shqiptarët?

Për të kuptuar pse një zonë e mbrojtur ngjall reagime kaq të forta në Shqipëri, duhet parë historia e vendit.

Shumë shpronësime gjatë diktaturës

Shqiptarët jetuan për 40 vjet nën diktaturën e Enver Hoxhës, gjatë së cilës shumë familje u shpronësuan.

"Edhe sot, shumë njerëz vazhdojnë të kërkojnë pronat e humbura dhe të kërkojnë kthimin e tokave të tyre," shpjegon historiani Elidor Mëhilli nga City University of New York.

"Për shumë shqiptarë, prona dhe toka janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Prej 30 vjetësh njerëzit kërkojnë pronat e tyre, luftojnë për to dhe madje janë vrarë për shkak të tyre."

Ai shton: "Kjo është drama e këtij vendi. Ishte një gabim fatal që ky problem nuk u zgjidh, por u zvarrit dhe u instrumentalizua politikisht nga të gjitha partitë. Politika po korr sot atë që ka mbjellë gjatë këtyre tre dekadave."

Më shumë se një çështje mjedisore

Për shqiptarët, toka nuk ka vetëm vlerë materiale. Ajo përfaqëson familjen, origjinën dhe identitetin.

Sipas Elidor Mëhillit, dhimbjet, plagët dhe traumat e trashëguara brez pas brezi janë gjithashtu një nga fytyrat e "Revolucionit të Flamingove".

Protestat në Shqipëri, por edhe ato të diasporës shqiptare, kanë bërë që punimet në këtë zonë të monitorohen më nga afër.

Njëkohësisht, projekti i planifikuar i ndërtimit ka sjellë në qendër të vëmendjes publike edhe çështjen e mbrojtjes së natyrës.

Simboli i protestuesve janë flamingot.

Ato nuk përfaqësojnë më vetëm një specie shpendësh të rrezikuar, por janë kthyer në simbol të një pyetjeje shumë më të madhe shoqërore: Si mund të pajtohen interesat ekonomike me mbrojtjen e natyrës, historisë dhe të drejtës së njerëzve mbi vendin e tyre?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco