Pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci komentoi ashpër mënyrën se si qeveria ndërhyri për organizimin e koncertit të Kanye West, duke e cilësuar të gjithë procesin jo si një aktivitet artistik, por si një "koncesion të paracaktuar" për të garantuar fitimin e një biznesi privat me para publike.
I ftuar në Kafe Shqeto, Goci u shpreh se përdorimi i fondit të emergjencës për blerjen e biletave të pashitura nuk është një gabim apo pakujdesi, por pjesë e një skeme të njohur që është zbatuar edhe në koncesione të tjera.
Ai argumentoi se pas propagandës për ta shitur Tiranën si një destinacion turistik fshihen marrëveshje të errëta dhe se dështimi i koncertit, nxori në pah atë që e cilësoi një aferë korruptive me fondet publike.
Për këtë arsye, Goci kërkoi që SPAK të hetojë çështjen dhe të vendosë para përgjegjësisë zyrtarët që kanë miratuar këtë vendimmarrje.
Pjesë nga deklarata:
Shiko, unë, për veten time, refuzoj ta quaj koncert atë. Ai më është dukur një lloj koncesioni. Është një koncesion, praktikisht, i paracaktuar. Si të them, një koncesion i pakërkuar nga shteti, por i kërkuar nga ata që duan të bëjnë para. Sepse, për mënyrën se si u trajtua dhe për mënyrën se si u ndërhy në formë emergjente, ajo që unë pashë është se ishin marrë disa angazhime. Pra, janë lidhur disa marrëveshje të fshehta, sigurisht, ku ishte parashikuar që ky koncert, le të themi, të shërbente si një rritje shumë e madhe e Tiranës si destinacion turistik, që të përzihej me numrat turistikë, që më pas të nxirrnin disa statistika: "Shiko sa kërkesë ka Tirana, shiko çfarë ndodh në Tiranë, Tirana është vendi", e të tjera, e të tjera.
Dhe rezultoi një kolaps total, jo vetëm për arsye të protestës. Sigurisht, protesta i dha goditjen fatale, por mendoj se ka pasur totalisht një delir, një lloj megalomanie, sikur e gjithë bota i ka sytë nga Tirana dhe nga një muzikant, i cili, sigurisht, për shkak të shumë faktorëve, nuk është domosdoshmërisht një njeri aq i kërkuar sa e paraqet propaganda. Por propaganda këtë ngjyrë u jep të gjitha gjërave, kështu që nuk bën më çudi.
Pra, unë e kam parë si koncesion. Për mënyrën se si u fut qeveria, kjo quhet "fitim i munguar". Fitimi i munguar, si ai që ndodh me aeroportin e Vlorës, si ai që ndodh me Tunelin e Llogarasë. Është hera e parë në historinë moderne të njerëzimit që shteti futet për të blerë biletat e privatit, pra biletat e pashitura të privatit. Praktikisht, ky është fitim i munguar, siç ndodh me koncesionet, siç ndodh me Rrugën e Kombit, siç ndodh me Tunelin e Llogarasë, siç ndodh me aeroportin e Vlorës, siç ndodh me shumë të tjera, me Thumanë-Kashar, me Check-up-in... me Check-up-in po se po, sepse ai është kështu. Domethënë, e çuan deri në moshën 16 vjeç e lart.
Kështu që nuk duhet parë si aksidenti i radhës. Ky nuk është aksident. Nuk duhet parë si një pakujdesi, nuk duhet parë si ndonjë arrogancë. Jo, kjo është skema e tyre. E vetmja gjë që e nxori këtë të zbuluar është fakti se njerëzit janë në rrugë, janë duke protestuar dhe nuk e shisnin dot më aq kollaj. Se të ishte kohë tjetër, me thënë të drejtën, ndoshta do të na kishin rrahur edhe pse kërkuam llogari. Por tani që njerëzit janë në rrugë, kam përshtypjen se ka filluar t'u djegë pak dhe detyrohen të japin shpjegime, të thonë: "Jo, s'është kështu, është ashtu", e ku ta di unë.
Për mua është një aferë korruptive nga fillimi deri në fund dhe, në qoftë se ka SPAK dhe ka institucione drejtësie, duhet të shkojnë ta kapin për veshi Ministren e Kulturës, bashkë me Kryeministrin, bashkë me kushdo tjetër që është përgjegjës, sepse është bërë një grabitje e parave publike, komplet e pajustifikuar dhe në mes të ditës, madje edhe e shpallur, duke thënë se: "Ne po i japim këto lekë sepse do të blejmë biletat e pashitura të koncesionit të radhës, që ne kemi vendosur në mënyrë arbitrare."
© SYRI.net