Anëtari i Kryesisë së PD-së, Nikola Kedhi, i ftuar në emisionin “Syri i Botës” në Syri TV me moderatoren Dori Daka, analizoi zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, duke i cilësuar ato si vendimtare për të ardhmen e axhendës politike të presidentit Donald Trump dhe lëvizjes MAGA.
Sipas Kedhit, republikanët po zhvillojnë një fushatë të fortë për të ruajtur kontrollin në Kongres, ndërsa paralajmëroi se një fitore e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve do të sillte bllokimin e nismave të administratës Trump dhe rikthimin e përplasjeve politike në Uashington.
Intervista:
Daka: ...të karakterizojnë edhe periudhën 4 vjeçare deri në 3 nëntor të 2026-ës. Po fillojmë pikë së pari me një lloj përkufizimi për publikun shqiptar se çfarë janë këto zgjedhjet e mesit të mandatit. Çfarë, për çfarë shërbejnë?
Kedhi: Janë zgjedhje që bëhen në mes të mandatit presidencial dhe zgjedhin të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve. Kongresi Amerikan ka dy dhoma, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Në zgjedhjet e mesit të mandatit zgjidhet e gjithë Dhoma e Përfaqësuesve, të 435 anëtarët e dhomës, të cilët zgjidhen një herë në dy vjet, kanë një mandat dy vjeçar, dhe zgjidhet dhe një pjesë e Senatit. Këtë vit zgjidhen rreth 35 anëtarë të Senatit. Një senator e ka mandatin 6 vjeçar dhe në zgjedhjet e mesit të mandatit zgjidhet vetëm një pjesë domethënë e tyre që do kenë mandatin për gjashtë vitet në vijim. Dhe këto do përcaktojnë se kush do kontrollojë nga ana legjislative axhendën dhe e cila nga dy partitë kryesore, normalisht republikanët apo demokratët amerikanë.
Daka: Tani në këto zgjedhje, çfarë synojnë republikanët dhe çfarë synojnë demokratët? Sigurisht synojnë fitoret, po brenda mundësisë së tyre. Cili është objektivi i njërës dhe tjetrës parti aktualisht?
Kedhi: Po, republikanët do jenë në një farë mënyre në mbrojtje sepse përgjithësisht partia që është në pushtet, që ka Shtëpinë e Bardhë ju mbet zgjedhjet e mesit të mandatit. I vetmi në historinë moderne amerikane, politike amerikane në mos gaboj ka qenë George W. Bush që ka fituar zgjedhjet e mesit të mandatit dhe ai fitoi pas një ngjarje shumë të rëndë siç ishte ajo e 11 shtatorit, ku ishte solidarizimi shumë i madh, patriotizmi, mbështetja e gjithë popullit amerikan drejt presidentit dhe partia e tij i fitoi zgjedhjet e mesit të mandatit menjëherë pas 11 shtatorit. Po përgjithësisht i humbasin sepse amerikanët rrallëherë ja japin një partie gjithë pushtetin për shumë kohë, e bëjnë këtë balancimin. Po duket se kësaj radhe do ketë një betejë goxha të fortë sepse republikanët po përpiqen me të gjitha mënyrat për ta mbajtur Dhomën e Përfaqësuesve, në mënyrë që axhenda e presidentit Trump të vazhdojë dhe të mos bllokohet, sepse në qoftë se fiton e majta amerikane axhenda legjislative e presidentit Trump bllokohet. Nuk do mund të kalohen prioritetet që ai ka edhe pse një pjesë e madhe e premtimeve elektorale ai i ka bërë realitet, i ka kthyer në ligj, apo i ka kaluar në të dy dhomat e Kongresit. Por gjithsesi do ketë pengesa të shumta dhe demokratët do nisin me axhendën e tyre të hetimeve parlamentare ndaj presidentit Trump, ashtu siç e bënë pas vitit 2018 kur Trump humbi zgjedhjet e mesit të mandatit asokohe.
Daka: Shiko Nikola, ajo çfarë është interesante në këto bisedat tona të hershme, para zgjedhjeve qoftë ato presidenciale apo ato të mesit të mandatit, është fakti se në mënyrë të drejtpërdrejtë, pra në kohë reale, diskutojmë për procese që kanë të bëjnë me mënyrën se si funksionon kjo që quhet demokracia funksionale në shtetet e bashkuara të amerikës. Pra jo vetëm në momentet kyçe të zgjedhjeve kur njerëzit hedhin votën, po gjithë procesi shumë mujor që i paraprin pikërisht këtij momenti shumë të rëndësishëm që bën diferencën, sepse diferenca nuk bëhet në momentin e hedhjes së votës, por shumë kohë më përpara që me organizimin e primareve. Dhe meqenëse jemi te primaret flasim pak për to. Kanë filluar në mars, do të flasim deri në shtator, një periudhë mjaft e gjatë në shumë shtete të shteteve të bashkuara të amerikës. Në çfarë momenti ndodhemi aktualisht dhe çfarë është bërë gjatë këtyre muajve?
Kedhi: Para se të përgjigjem kësaj pyetje dua të them dy fjalë për atë që preke ti në fillim të pyetjes. Unë personalisht i quaj me shumë rëndësi këto bisedat në lidhje me atë që ndodh në shtetet e bashkuara të amerikës, sepse tregojnë një model që do ishte mirë që në një farë mënyre apo në elemente të caktuara të tij, ta zbatonim dhe në Shqipëri. Natyrisht të përshtatur me traditat, zakonet që ne kemi dhe prioritetet që ne kemi si komb. Amerikanët tregohen shumë të kujdesshëm për shembull që të thonë se ata nuk kanë një demokraci në vendin e tyre po kanë një republikë. Sepse demokracia do të thotë tirani e shumicës, imponim i vullnetit të shumicës ndaj një pakice. Ndërsa në shtetet e bashkuara të amerikës i kushtojnë pakicave politike, shoqërore, e kështu me radhë, i kushtojnë rëndësinë e duhur, kanë garancitë e duhura, mbrojtjet e duhura, nga të cilat do duhet të mësonim edhe ne në Shqipëri për të ruajtur këto balancat e mbarëvajtjes së shoqërisë, që janë të nevojshme. Këto balanca që janë të nevojshme për mbarëvajtjen e shoqërisë. Dhe andaj ata kanë një proces kaq të gjatë që nis me primaret. Së pari, me çdo individ që ka lirinë, ka të drejtën për t'u zgjedhur dhe për të zgjedhur. Dhe çdo individ atje e ka mundësitë, ose e ka në një farë mënyre mekanizmin për t'u futur në garë, për të konkuruar në mënyrë të lirë me zgjedhje të lira dhe të ndershme, edhe pse ka pasur dyshime për 2020-ën. Dhe ndaj ky proces nis me atë që quhet eksplorimin që bën çdo kandidat për t'u futur ose jo në garë. Krijojnë, për gara të rëndësishme krijojnë këto komitetet e eksplorimit, ku shikojnë a ekzistojnë premisat, a ka gjasa për të fituar një kandidat i caktuar apo është një betejë e kotë. Dhe në qoftë se ka gjasa për të fituar, ata futen në garë, futen në primare brenda partisë së tyre, futen në lojë më pas mbështetjet që vijnë dhe nga sektori privat, lobimet e kështu me radhë, mbështetja natyrisht brenda partisë. Dhe kjo shërben edhe për të parë se cila anë ose cili krah edhe ideologjik ka më shumë terren brenda partisë.
© SYRI.net