Kanye West u largua nga Tirana të shtunën në mbrëmje, pasi mbajti në Kashar një koncert që në skenë mund të ketë funksionuar si spektakël, por jashtë saj la pas një skandal me faturë publike.
Ajo që qeveria u përpoq ta shiste si mbrëmje magjike u kthye në një nga ngjarjet më të debatueshme të verës. Para publike, fond emergjencash, protesta, anti-semitizëm, kontradikta ndërkombëtare dhe një stadium ku, në fund, u dëgjua edhe thirrja që Rama donte ta mbulonte, “Rama, jepe dorëheqjen”.
Lapsi.al ka përmbledhur pesë polemikat kryesore që la pas koncerti i Kanye West në Tiranë.
1. Spektakli që u përplas me protestën
Koncerti i Kanye West në Shqipëri nuk ndodhi në vakum, as në një moment normal politik.
Prej 42 ditësh, qytetarët protestojnë çdo mbrëmje kundër qeverisë Rama. Protesta nisi pas skandalit të Zvërnecit, ku projekti i lidhur me Jared Kushner u pa si një tjetër grabitje e pasurive publike në një zonë të mbrojtur, por më pas u kthye në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes me kryefjalë dorëheqjen e Ramës.
Në këtë klimë, sjellja e Kanye West në Tiranë me çdo kusht vështirë të lexohej thjeshtë si një koncert. Për kritikët, ishte receta më e vjetër e pushtetit autokratik, bukë dhe cirk.
Një spektakël i madh, i paguar me para publike, për të zhvendosur vëmendjen nga protestat dhe për t’i treguar botës pamjen që i intereson qeverisë, turma, drita, muzikë, larg turmës tjetër në Bulevard.
Protesta dje në Bulevard, teksa mbahej koncerti i Kanye West.

Por ironia ndodhi brenda vetë spektaklit.
Në videot që qarkulluan në rrjetet sociale, një pjesë e publikut në stadium nisi të brohoriste: “Rama, jepe dorëheqjen”.

Pra thirrja që prej 42 ditësh dëgjohej në rrugët e Tiranës, hyri edhe në eventin që Rama financoi për ta mbuluar.
2. Nga koncert privat në faturë publike 4 milionë euro
Për muaj me radhë, qeveria e paraqiti koncertin si event privat. Versioni zyrtar ishte ai i çdo sipërmarrjeje në botën e spektaklit. Organizatorët shesin bileta, marrin riskun dhe mbulojnë kostot.
Madje, Ministria e Kulturës kishte deklaruar publikisht se koncerti do të financohej nga shitja e biletave.
Por pesë ditë para eventit, gjithçka ndryshoi.
Më 6 korrik, qeveria miratoi një Akt Normativ (dokumenti poshtë) dhe nxori rreth 4 milionë euro nga fondi rezervë i shtetit për të financuar koncertin

Edi Rama tha se u detyrua të ndërhynte për të shmangur “turpërimin e Shqipërisë”, pasi organizatorët kishin paralajmëruar anulimin e koncertit.
Por ky shpjegim nuk bindi askënd jashtë oborrit të Ramës.
Në çdo vend normal, nëse një koncert privat dështon, humbjen e mban privati. Ai ul çmimet, anulon eventin, kthen paratë e biletave dhe mbyll historinë. Në Shqipëri ndodhi e kundërta, sepse fitimi privat u mbrojt me para publike dhe risku i organizatorëve iu faturua qytetarëve shqiptarë.
3. Fondi rezervë për të shpëtuar imazhin e Ramës
Skandali nuk është vetëm shuma, por edhe burimi i parave.
Qeveria nuk mori 4 milionë euro nga një fond kulture, nga një program turizmi apo nga një linjë e parashikuar për evente. I mori nga fondi rezervë, pra nga para që duhet të jenë aty për situata të jashtëzakonshme. Për zjarre, përmbytje, apo për fatkeqësi natyrore.
Por për qeverinë Rama, emergjenca nuk ishte ndonjë zonë që digjej, ndonjë familje që kishte nevojë për ndihmë apo ndonjë spital pa ilaçe.
Ky vendim kapi vëmendjen e mediave ndërkombëtare, ku prestigjozja franceze Le Monde shkroi si më poshtë:
"Duke bërë paralelizëm me mungesën alarmante të financimit të spitaleve në këtë vend, që renditet ndër më të varfrit e Europës, shumë protestues e shohin këtë koncert dhe këtë subvencion si një simbol të ri të mënyrës se si kryeministri, në pushtet që prej vitit 2013, po përvetëson të gjitha institucionet me synimin për t'i shërbyer imazhit të tij dhe interesave nganjëherë të dyshimta."
4. Biletat falas: nga nxënësit te administrata
Pasi qeveria vendosi të hapte arkën e shtetit për koncertin, nisi edhe faza e tretë e skandalit, mbushja e stadiumit me çdo kusht.
Në rrjetet sociale nisën të qarkullonin mesazhe ku kërkohej që nxënës me rezultate të larta të përfitonin bileta falas për koncertin e Kanye West. Në disa prej tyre, mësuesve u kërkohej të propozonin emra nxënësish “me arritje të veçanta” dhe të caktohej edhe një mësues për t’i shoqëruar në koncert.
Qeveria nisi t’ua jepte biletat falas fëmijëve të shkollave, si shpërblim për rezultatet e mira.

Por historia nuk u ndal te nxënësit.
Mesazhe të tjera të publikuara treguan se bileta falas po shpërndaheshin edhe në administratë, ku punonjësve u flitej për “lotari” për të marrë pjesë në koncert.
U raportua gjithashtu për përpjekje për të përfshirë biznese dhe influencera, me qëllimin e qartë për të mbushur një stadium që rrezikonte të dukej bosh. Në këtë pikë, koncerti nuk dukej më si një event muzikor, por si një aksion shtetëror.
5. Nga Knesseti në Kashar
Vetëm pak muaj më parë, Edi Rama mbante fjalim në Knesset-in (Parlamentin) izraelit, ku fliste për historinë e shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai u duartrokit në këmbë. Benjamin Netanyahu e quajti “mik të madh të shtetit hebre”.

Disa muaj më vonë, i njëjti kryeministër vendosi të financojë me para publike Kanye West, një artist i kthyer prej kohësh në simbol polemikash për anti-semitizëm.
Kanye West ka publikuar këngën “Heil Hitler”, ka shitur bluza me svastikë dhe është kthyer në një figurë aq problematike sa disa vende europiane i kanë anuluar ose ndaluar koncertet.

Këtu qëndron kontradikta e radhës. Në Izrael, Rama shfaqet si aleat i madh i popullit hebre. Në Kashar, financon me paratë e shqiptarëve artistin që Europa po e refuzon pikërisht për anti-semitizëm.
Prestigjozja The New York Times i kushtoi një artikull pikërisht ksaj piruete të sforcuar të Ramës. (Lexoje këtu)
Në fund të ditës, Kanye West luajti koncertin, publiku e duartrokiti, dhe Rama e quajti mbrëmjen "magjike". Por ajo çka mbeti pas ishte një pyetje që stadiumi i përkohshëm në Kashar nuk mundi ta zgjidhë. Sa kushton (në para dhe në imazh) të blesh një natë spektakli kur vendi po digjet nga pikëpyetjet mbi qeverisjen e vet?/ Lapsi.al/
© SYRI.net